Kiçmari: Problemi më i thellë në Shqipëri, mungesa e etikës politike në të dy krahët
Ish-ambasadori i Kosovës në Australi, Sabri Kiçmari, ka komentuar krizën politike në Shqipëri.
Në profilin e vet në “Facebook”, ai ka shkruar se problemi më i thellë dhe më shqetësues në Shqipëri është mungesa e etikës politike në të dy krahët e politikës shqiptare.
Sipas tij, të dy krahët e politikës duhet që t’i kthehen arsyes dhe ta gjejnë një kompromis.
Postimi i plotë i Kiçmarit:
Në Shqipëri kemi krizë politike dhe institucionale. Por, problem më i thellë dhe më shqetësues është mungesa e etikës politike në të dy krahët e politikës shqiptare. Opozita, duke u tërhequr nga parlamenti në një mënyrë të paparë në një sistem demokratik, nuk e sfidoi vetëm Qeverinë, por edhe shtetin. Ajo po mundohet ta tejkalojë situatën përmes bllokimit të sistemit shtetëror.
Qeveria, në vend të dialogut me opozitën, vendosi të hynte në konflikt me presidentin dhe Qeverinë, për të shtyrë agjendën e vet, duke injoruar faktin se partitë kryesore kishin deklaruar se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale. E gjithë kjo skemë veprimi, flet për mungesë të përgjegjësisë për të marrë parasysh edhe mendimin dhe logjikën politike të tjetrit, në dobi të shtetit, shoqërisë dhe së ardhmes.
Nga një katrahurë e tillë humbin edhe partitë politike, shoqëria, dhe shteti. Racionalizëm, reflfektim politik dhe zgjatje e dorës për pajtim dhe zgjidhje të përgjegjshme, kjo është rruga që duhet të zgjedhë elita politike!
Elita intelektuale e Shqipërisë, që është e mbrujtur me vlerat më të larta etike politike, që është mendjendritur dhe racionale, duhet të vije në shprehje këto ditë.
Njerëz të tillë duhet të dalin në skenën publike, për t’ju bërë ftesë të dy krahëve politikë që t’i kthehen arsyes, të zbresin te një mjet, që e zbaton bota demokratike dhe e civilizuar në raste të tilla: te kompromisi. Zgjedhjet vijnë e shkojnë, edhe partitë vijnë e shkojnë. Qytetarët, kombi, shteti dhe shoqëria mbeten! Nuk duhet rrezikuar jeta e asnjë njeriu për interesa politike dhe partiake. Shpresoj se zëri i njerëzve racionalë në Shqipëri do të dëgjohet dhe të dy krahët politikë do të ulen për të biseduar mes vete për të gjetur kompromisin, zgjidhjen racionale për këtë kohë joracionale. Uroj dhe shpresoj për këtë!
/Epoka e re/