Kidnapimi i policëve, Osmani kërkon reagim të unifikuar nga ndërkombëtarët

22 qershor 2023 | 13:21

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar një delegacion të ambasadorëve dhe zyrtarëve të lartë nga Finlanda të cilët po qëndrojnë në Kosovë në një vizitë pune.

Duke iu uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, presidentja Osmani, ka shprehur mirënjohjen e thellë të qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës për mbështetjen e Finlandës për rrugëtimin evropian të Kosovës.

Ajo ka theksuar se Kosova e vlerëson lartë partneritetin me Finlandën dhe konfirmoi gatishmërinë e plotë për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit.

Presidentja Osmani ka folur edhe për zhvillimet e fundit në vend, me ç’rast ka konfirmuar edhe një herë përkushtimin e Kosovës për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon, në koordinim dhe bashkëpunim edhe me aleatët.

Ajo ka folur edhe për tendencat e vazhdueshme destabilizuese nga ana e Serbisë dhe ka vënë theksin tek rëndësia e ballafaqimit me drejtësinë të grupeve kriminale të mbështetura nga Serbia e që sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it, gazetarët dhe qytetarët.

Me këtë rast, në takim është diskutuar edhe për tre policët e kidnapuar thellë në territorin e Republikës së Kosovës, gjë që presidentja Osmani e ka vlerësuar si akt të pastër të agresionit nga ana e Serbisë dhe ka theksuar rëndësinë e reagimit të unifikuar nga komuniteti ndërkombëtar me qëllim të lirimit të menjëhershëm të policëve që po mbahen padrejtësisht në Serbi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë një paraqitje krahë Hailey Bieber, themeluesja e SKIMS pranoi…