Kidnapimi i tre policëve, Bislimi me kritika të ashpra ndaj Brukselit
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka reaguar pas kidnapimit të tre policëve të Kosovës nga policia serbe.
Ai ka akuzuar Brukselin për mbyllje sysh, duke thënë se kjo është vrazhdësi, të cilën e krahasoi me atë të Serbisë në shkeljen e marrëveshjeve.
“Vrazhdësia me të cilën Serbia po shkel marrëveshjet është e krahasueshme me vullnetin e Brukselit për t’i mbyllur sytë karshi këtyre shkeljeve”, ka shkruar Bislimi në “Facebook”, derisa ka shpërndarë postimin e kryeministrit Kurti për kidnapimin e tre policëve.
Ndërsa kryeministri Albin Kurti ka thënë se hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim.
“Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviq – ‘Lune’, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.