KIE ofron ekspertizë në harmonizimin e legjislacionit vendor
Me ftesën e zëvendësministrit të Financave Fatmir Gashi, Këshilli i Investitorëve Evropianë (KIE), ka mbledhur nën akterë të çështjeve ekonomike në vend, duke përfshirë Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës, Shoqatën e Bankave të Kosovës, përfaqësues të kompanive të sigurimit, si dhe ekspertë nga Deloitte dhe Baker Tilly Kosova për të dhënë rekomandimet e tyre profesionale në fushën e legjislacionit financiar, respektivisht mbi draft ligjin për tatim në të ardhurat e korporatave.
“Zëvendësministri Fatmir Gashi ka shprehur vullnetin dhe gatishmërinë që të diskutohet dhe të debatohet në nivelin profesional duke përfshirë dhe analizuar të gjitha pikëpamjet të cilat kontribuojnë në formësimin sa më të mirë të legjislacionit. Gjithashtu përfaqësues të Këshillit të Investitorëve Evropianë janë shprehur se janë mirënjohës ndaj zëvendësministrit Gashi i cili po ofron gatishmëri të bashkëpunimit me investitorët dhe sektorin privat. Për më shumë KIE ka kërkuar nga Ministria e Financave dhe Grupit punues që të merren parasysh rekomandimet e dalura nga ky grup dhe ky takim pasi që është investuar mjaft punë për ta bërë këtë ligj sa më nxitës për bizneset vendore dhe investitorët e huaj por gjithnjë duke ruajtur stabilitetin makro-fiskal dhe duke kontribuar në stimulimin e krijimit të vendeve të reja të punës”, është thënë në komunikatën për medie të Këshillit të Investitorëve Evropian.