Kievi goditet nga një breshëri raketash, avionët luftarakë rusë dëmtohen nga sulmet me dronë
Rusia e ka akuzuar Ukrainën se e ka kryer atë që duket të jetë sulmi më i madh me dronë në tokën ruse qëkur Moska e pushtoi atë 18 muaj më parë, si pasojë e të cilët u dëmtuan disa aeroplanë luftarakë rusë.
Gjashtë rajone ruse u goditën nga sulme me dronë gjatë natës mes 29 dhe 30 gushtit, raporton Rel.
Dronët goditën një aeroport në rajonin perëndimor të Rusisë, Pskov, pranë kufirit me Estoninë dhe Letoninë, dhe e shkaktuan një zjarr masiv, njoftuan mediat lokale. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se e rrëzoi një numër të madh dronëve në rajonet Oriol, Briansk, Riazan, Kaluga dhe në rrethinat afër kryeqytetit Moskë.
Guvernatori rajonal i Pskovit, Mikhail Vedernikov, urdhëroi anulimin e të gjitha fluturimeve nga dhe për në aeroportin e qytetit të mërkurën, në mënyrë që të vlerësohen dëmet gjatë ditës.
Sulmi në aeroport, për të cilin u raportua pak minuta para mesnatës, i dëmtoi katër aeroplanë transportues il-76, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve e Rusisë, TASS, duke cituar zyrtarët rusë.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale shfaqën një tym të madh mbi qytetin Pskov dhe një flakë të madhe, po ashtu.
Vedernikov tha se nuk ka të vdekur dhe se zjarri është vënë nën kontroll. U raportua se 10 deri në 20 dronë mund ta kenë kryer këtë sulm në aeroport. Kjo nuk është konfirmuar.
Ndërkohë, në Kiev, dy persona u vranë nga sulmet masive ruse me raketë dhe dronë, njoftoi kryetari i qytetit ukrainas, Vitali Klitschko, në Telegram.
“Kievi nuk është përballur me sulm kaq të fuqishëm që nga pranvera. Armiku e ka kryer një sulm të kombinuar, duke përdorur dronë dhe raketa”, tha Serhi Popko, shefi i administratës ushtarake të kryeqytetit.
Për shpërthime u raportua edhe në qytetin jugor Odesa dhe në rajonin Çerkasi në Ukrainë.