Kievi në protestë pas vizitës së Putinit në Krime
Ministria e Jashtme e Ukrainës protestoi ndaj vizitës së fundit të Presidentit rus Vladimir Putin në rajonin e Krimesë së Ukrainës, duke e cilësuar atë një “shkelje të rëndë” të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.
“Përpjekjet nga pala ruse dhe media për të përshkruar ‘vizita’ të tilla si ‘udhëtime të zakonshme’ të brendshme nga zyrtarët rusë janë të padobishme”, tha ministria në një deklaratë të 11 gushtit, duke shtuar se Krimea është “pjesë integrale” e Ukrainës, transmeton “VOA”.
Më 10 gusht, presidenti Putin u shfaq në televizionin shtetëror me një xhaketë lëkure në një shfaqje motoçikletash organizuar nga klubi “Ujqit e Natës” motorësh në Sevastopol, një qytet në Gadishullin e Krimesë që Moska e mori nën kontroll në vitin 2014.
Klubi “Ujqit e Natës” është i njohur për besnikërinë e tij ndaj Kremlinit.
Rusia aneksoi Krimenë në Mars 2014 pasi presidenti ukrainas Viktor Janukoviç, që ishte i afërt me Moskën, u rrëzua nga pushteti si pasojë e lëvizjes së protestave pro-evropiane Maidan, një muaj më herët.
Moska gjithashtu ka nxitur trazira dhe ka mbështetur separatistët në Ukrainën lindore, ku që nga viti 2014 më shumë se 13,000 njerëz kanë humbur jetën në konfliktin që pasoi.
Vizita e Putinit në Sevastopol u bë ndërsa dhjetëra mijëra mbështetës të opozitës u mblodhën në Moskë për të kërkuar zgjedhje të ndershme komunale. Më shumë se 250 persona u ndaluan nga policia.