Kili/ Avioni ushtarak zhduket me 38 persona në bord
Një avion ushtarak me 38 persona në bord është zhdukur gjatë rrugës për në Antarktidë. Lajmin e bëri të ditur forca ajrore e Kilit në një deklaratë, e cila tha se avioni u ngrit nga Punta Arenas në orën 16:55 me kohën lokale (19:55 GMT), dhe operatorët humbën kontaktin pas orës 18:00 (21:00).
Midis të zhdukurve janë 17 anëtarë të ekuipazhit dhe 21 pasagjerë, të cilët po udhëtonin për të siguruar mbështetjen logjistike.
Forca ajrore e Kilit tha që një operacion kërkimi dhe shpëtimi është duke u zhvilluar për të rikuperuar aeroplanin dhe ata që kanë humbur.
Agjencia e lajmeve EFE raporton se tre prej atyre që janë në bord janë civilë.
Gjenerali i Forcave Ajrore Eduardo Mosqueira u tha mediave lokale se aeroplani nuk aktivizoi asnjë sinjal shqetësimi.