Kili do ketë një president që vjen nga e majta
Me 55.8 për qind të votave, Gabriel Boriç, lideri i koalicioni të krahut të majtë Pacto Apruebo Dignidad, fitoi zgjedhjet presidenciale në Kili. Ai mundi Antonio Kast, kandidatin e të djathtës ekstreme.
Në raundin e parë të zgjedhjeve, më 21 nëntor, Kast mori 27.9 për qind të votave, Boriç 25.8%. Në moshën 35-vjeçare, Boriç do të jetë presidenti më i ri në historinë e Kilit.
Zgjedhjet, të cilat u zhvilluan të dielën, u konsideruan si më të polarizuarat në vitet e fundit, veçanërisht për shkak të protestave të mëdha që filluan në tetor të 2019 dhe për shkak të tyre u arrit më në fund të ndryshohej Kushtetuta e vendit, e cila ishte miratuar në kohën e diktaturës së gjeneralit Augusto Pinochet.
Kast është 55 vjeç, ai është pjesë e Partisë Republikane të Kilit dhe gjatë fushatës elektorale është paraqitur si njeriu që mund të vendosë rendin në vend. Ai është mbështetës i Pinochetit dhe konsiderohet homofobik. 55-vjeçari ka deklaruar se është njeriu i vetëm në vend që mund të ndalojë emigracionin.
Boriç, njëzet vjet më i ri është një ish-lider i lëvizjeve studentore dhe është zgjedhur për dy mandate në Parlament. Ai është betuar se do të forcojë rolin e shtetit për të garantuar të drejtat themelore si arsimi e shëndetësia.
Në një bisedë telefonike me presidentin në largim të Kilit, Sebastian Pinera, Boriç tha se do të jetë “presidenti i të gjithë kilianëve”.
Në një mesazh në rrjetin social Twitter, Kast e uroi Boriçin për “triumfin e tij të madh”, duke shtuar se “ai tani është presidenti i zgjedhur i Kilit dhe meriton gjithë respektin dhe bashkëpunimin tonë konstruktiv”.
Boriç, në komentin e tij shkruajti: Shpresa ka fituar mbi frikën.