Kilicdaroglu, kundërkandidat i Erdoganit në zgjedhjet presidenciale turke
Lideri i opozitës turke, Kemal Kilicdaroglu është zgjedhur që të jetë kundërkandidati i presidentit aktual turk, Recep Tayyip Erdogan, në zgjedhjet që pritet të mbahen më 14 maj.
Koalicioni opozitar, i përbërë nga gjashtë parti, e ka zgjedhur atë më 6 mars si kandidat për president.
Kilicdaroglu, 74 vjeç, është kryetar i partisë së dytë më të madhe në shtet. Ai shpreson që ta largojë Erdoganin nga posti i presidentit pas më shumë se dy dekadash në pushtet.
“Tryeza jonë është tryezë e paqes. Qëllimi ynë i vetëm është që ta çojmë shtetin në ditët e prosperitetit, paqes dhe gëzimit”, ka deklaruar Kilicdaroglu, kryetar i Partisë Popullore Republikane (CHP), gjatë një fjalimi në Ankara.
“Do ta qeverisim Turqinë në bazë të konsultimeve dhe konsensusit”, ka thënë ai.