Kiliçi: Synimi ynë është të jemi të parët në marrëdhëniet ekonomike
Oda Tregtare Kosovaro Turke (OTKT) ka organizuar mbrëmë iftar në hotelin “Emerald” nën partronatin e CEO-s të kompanisë Atlantik Group, njëkohësisht kryetar i Odës Tregtare Kosovaro Turke, Ayhan Demirkiran.
Të pranishëm në këtë iftar ishin ambasadorja e Republikës së Turqisë, Kivilcim Kiliç, ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, këshilltari Tregtar në Ambasadën Turke në Prishtinë, Tamer Topaloglu, koordinator i TIKA-s në Kosovë, Hasan Burak Ceran, drejtori i institucionit “Yunus Emre” në Kosovë, Mehmet Ulker, anëtarët e OTKT-së si dhe pjesëmarrës të tjerë.
Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë dhe njëkohësisht kryetarja e nderit e OTKT-së, Kivilcim Kiliç, në fjalimin e saj ka theksuar marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve si dhe kontributin e vazhdueshëm të Turqisë ndaj Kosovës.
Ambasadorja Kiliç, po ashtu ka pohuar se sektori privat i cili po luan një rol të rëndësishëm si në Kosovë, ashtu edhe në marrëdhëniet tregtare dhe investuese, përmes investimeve ndryshoi çehren e vendit.
Kiliç ka bërë me dije se investimet turke në Kosovë çdo ditë e më shumë po rriten, por sipas saj ka ende punë të cilat duhen të realizohen si në tregti po ashtu edhe në investime.
“Ne, në këto marrëdhënie dëshirojmë të jemi të parët. Prandaj së bashku do të vazhdojmë të punojmë. Sigurisht që ka një numër mekanizmash që do ta do të ndihmojnë arritjen e këtij synimi. Njëra nga këto është edhe miratimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë. Ne do të vazhdojmë të punojmë intensivisht në mënyrë që kjo marrëveshje të hyjë në fuqi sa më parë që të jetë e mundur”, ka thënë Kiliç.
Ajo ka bërë me dije se rritja e investimeve është një nga dëshirat e saj, dhe se kontributi i investimeve në infrastrukturë do të kontribuonte edhe në marrëdhëniet tregtare dhe investuese midis Kosovës dhe Turqisë.
“Dëshiroj që uniteti mes nesh, integriteti, vazhdimi i mbështetjes dhe vëllazërimi midis popujve të të dy vendeve të vazhdojë edhe në të ardhmen”, ka thënë Kiliç, duke i uruar të gjithëve suksese në punën e tyre gjatë këtij muaji të madhërishëm të Ramazanit.