Kim Jong Un dëshiron një takim të dytë me Presidentin Trump
Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in bëri të ditur se udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un, dëshiron të mbajë një takim të dytë me Presidentin amerikan Donald Trump, me qëllim shpejtimin e procesit të çarmatimit bërthamor të gadishullit Korean.
Presidenti Moon i bëri komentet të enjten në Seul, pas kthimit të tij nga një vizitë treditore në Phenian.
Vizita e zotit Moon në Phenian kishte si qëllim tejkalimin e ngërçit në marrëdhëniet mes Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara lidhur me ritmin e Phenianit për të përmbushur premtimin për t’i dhënë fund programeve të tij të raketave bërthamore e balistike.
Në takimin e tyre në Singapor në muajin qershor udhëheqësi i Phenianit dhe Presidenti Trump nënshkruan një marrëveshje të paqartë mbi çarmatimin bërthamor. Presidenti i Koresë së Jugut u tha gjithashtu gazetarëve se Kim Jong Un shpreson që sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo të vizitojë së shpejti Korenë e Veriut.
Fillimisht ishte planifikuar që zoti Pompeo të shkonte në Phenian muajin e kaluar, por ngërçi në marrëdhëniet mes dy vendeve, nxiti Presidentit Trump të anulojë vizitën.