Kim Jong-un ndryshon orën
Duke nisur nga 5 maji, Koreja e Veriut do t’i lëvizë akrepat me 30 minuta për t’iu përshtatur orës së Jugut në atë që nga mediat koreanoveriore cilësohet si një hap i parë praktik drejt pajtimit dhe unitetit kombëtar.
Lideri komunist Kim Jong-un e ka cilesuar pikëlluese e të dhimbshme që orët ta tregojnë ndryshe kohën në Penian e Seul.
Ndryshimi i papritur i orës pati ndodhur në 2015-n, në përvjetorin e 70-të të çlirimit të Koresë nga sundimi japonez.
Zhvillimi i fundit vjen pas takimit historik mes liderëve të dy vendeve ish-armike të premten në zonën e çmilitarizuar, ku u zotuan për denuklearizimin e gadishullit e për nënshkrimin e një traktati paqeje, i cili do t’i japë fund zyrtarisht luftës së vitit 1953, të mbyllur asokohe vetëm me një marrëveshje armëpushimi.