Kim Jong Un: Nëse Seuli na provokon, do t’i shkatërrojmë përgjithmonë
Presidenti i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka kërcënuar se do të përdorë armë bërthamore dhe do të “shkatërrojë përgjithmonë” Korenë e Jugut nëse provokohet.
Ai e bëri këtë kërcënim pasi udhëheqësi i Koresë së Jugut paralajmëroi se regjimi i Kim do të binte nëse do të përpiqej të përdorte armë bërthamore.
Kjo lloj retorikë nga Seuli dhe Pheniani nuk është e re, por tensionet janë rritur pasi në fillim të shtatorit u publikuan në media foto të një objekti bërthamor në Korenë e Veriut, ku uranium pasurohet për armë bërthamore. Ishte një pasqyrë e rrallë në programin bërthamor të atij vendi.
Në javët e ardhshme, parlamenti i Koresë së Veriut pritet të refuzojë zyrtarisht pajtimin me Korenë e Jugut dhe të kodifikojë kufijtë e rinj kombëtarë.
Gjatë një vizite në një njësi të operacioneve speciale të mërkurën, Kim tha se ushtria e tij “nuk do të hezitojë të përdorë të gjitha forcat sulmuese që ka në dispozicion, duke përfshirë armët bërthamore”, nëse Koreja e Jugut përpiqet të përdorë forcat e armatosura kundër sovranitetit të Koresë së Veriut, të drejtuar nga shteti.
“Nëse lind një situatë e tillë, ekzistenca e vazhdueshme e Seulit dhe Republikës së Koresë do të ishte e pamundur”, tha Kim, duke përdorur emrin zyrtar të Koresë së Jugut.