Kina: Biseda telefonike Xi-Trump, jashtëzakonisht pozitive
Ministria e Jashtme e Kinës ka thënë se një bisedë telefonike në mes të presidentit të këtij shteti, Xi Jinping dhe homologut të tij amerikan, Donald Trump lidhur me çështjet tregtare dhe aspekte tjera ka qenë “jashtëzakonisht pozitive”, transmeton “AP”.
Kjo ministri ka thënë të premten se të dy liderët janë pajtuar për të “fuqizuar shkëmbimin ekonomik”, mirëpo nuk kanë ofruar të dhëna nëse është shënuar ndonjë përparim në zgjidhjen e përshkallëzimit të luftës me tarifa mes këtyre dy shteteve.
Trumpi ka thënë më herët përmes një postimi në llogarinë e vet në “Twitter” se ai dhe Xi kanë pasur bisedë “shumë të mirë”.
Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme, Lu Kang është pajtuar se “kjo bisedë telefonike ka qenë jashtëzakonisht e mirë”.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Kina kanë tensionuar marrëdhëniet kohën e fundit për shkak të tarifave të vëna nga autoritetet amerikane në produktet kineze.
Kina po ashtu iu është kundërvënë hapave amerikanë, derisa presidenti Trump ka arsyetuar vendimin e tij për ndëshkim të Kinës duke përmendur ato që i ka cilësuar “praktika të padrejta tregtare” të këtij shteti kundrejt ShBA-së.