Kina do të nisë edhe të tjerë mjekë në Itali
Presidenti Xi Jinping ka bërë me dije se Kina do të dërgojë më shumë ekspertë mjekësorë në Itali dhe do të sigurojë më shumë ndihmë për luftimin e koronavirusit të ri.
Në një telefonatë me kryeministrin italian Giuseppe Conte, Xi Jinping tha se Kina e mbështet fuqimisht Italinë dhe ka besim të plotë në fitoren e saj mbi pandeminë. Ai shprehu edhe gatishmërinë e Kinës për të punuar me Italinë për të kontribuar në bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër COVID-19.
Conte tha se arritjet e Kinës në kontrollin e sëmundjes kanë shërbyer si pikë referimi për Italinë dhe vendet e tjera dhe e falënderoi Kinën për ndihmën dhe mbështetjen.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Geng Shuang, ka bërë me dije se nëntë ekspertët mjekësorë të dërguar në Itali filluan punën e tyre menjëherë pas mbërritjes në Romë: “Ekspertët kanë ndarë përvojë me Ministrinë e Shëndetësisë Italiane, Kryqin e Kuq Italian, Institutin e Përparuar Italian të Shëndetësisë dhe Spitalin Kombëtar për Sëmundjet Infektive të Romës për trajtimin e pacientëve, përdorimin e ilaçeve dhe kontrollin e infeksionit brenda spitaleve, në përputhje me situatën pandemike në Itali”.
Ai shtoi se ekspertët kinezë shkëmbyen ide me punonjësit mjekësorë italianë se si të rritet ndërgjegjësimi për mbrojtjen e publikut dhe stafit mjekësor. Ata më pas do të nisen për në veri të Italisë, që është prekur më rëndë nga pandemia. /CRI/