Kina furnizon Serbinë me raketa kundërajrore

23 tetor 2023 | 10:01

Kina e ka furnizuar Serbinë me sisteme të mbrojtjes ajrore dhe dronë, ka konfirmuar zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherit ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, në një intervistë për “Global Times“, tabloidin e përditshëm kinez nën kontrollin e Partisë Komuniste të Kinës.

“Sa i përket raporteve dypalëshe Serbi-Kinë, do të veçoja bashkëpunimin ushtarak si dhe bashkëpunimin ekonomik e investimet e shumta që janë shumë të rëndësishme për vendin tonë”, ka deklaruar Vuçeviçi, derisa ka shtuar se sistemi i raketave kundërajrore me rreze të mesme veprimi “janë padyshim ndër sistemet më të rëndësishme të mbrojtjes”.

“Dorëzimi i armëve dhe pajisjeve nga Kina ka tërhequr vëmendjen e publikut në mbarë botën, por ajo që është më e rëndësishmja dhe ajo që duhet theksuar është se Forcat e Armatosura po forcohen ndjeshëm falë armëve dhe pajisjeve moderne dhe po fitojnë aftësi që nuk i kanë pasur më parë”.

Vuçeviçi ka theksuar se “përkrahja e përzemërt” e shtetit kinez ndaj shtetit serb për “çështjen” e Kosovës është e një “rëndësie vitale”, derisa ka shtuar se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka marrë garanci nga presidenti i Kinës, Xi Jinping, se do të qëndrojnë krah Serbisë. Ai ka shtuar se Serbia nuk do ta harrojë kurrë mbështetjen e popullit kinez në vitin 1999.

“Ne jemi vërtet mirënjohës për mbështetjen e përzemërt të Kinës për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë. Qëndrimi i Kinës për çështjen e Kosovës ka qenë gjithmonë parimor dhe konsistent, që është dëshmi e miqësisë së vërtetë mes dy vendeve”, ka nënvizuar ai.

Kina dhe Rusia kanë qenë hapur në mbështetje të Serbisë gjatë viteve 1990 edhe përkundër faktit që shteti serb ka nisur dhe kryer disa luftëra në rajon, përfshirë edhe luftën e fundit në Kosovë. Intervenimi humanitar i NATO-së në vitin 1999 qe çarja më e madhe ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë e Kinës. Që atëherë, këto dy shtete nuk kanë reshtur së kundërshtuari Kosovën.

Bllokimi i çfarëdo iniciative në Këshillin e Sigurimit të OKB-së – Rusia dhe Kina janë anëtare të përhershme me të drejtë vetoje – për ndryshimin e Rezolutës 1244 është dëshmia më e qartë për qëndrimin kundërshtues dhe malinj të shtetit rus dhe kinez ndaj pavarësisë së Kosovës.

Kina e Rusia nuk kanë pranuar ta njohin pavarësinë e Kosovës, ndërsa Serbia po ashtu ia ka mbajtur anën Kinës dhe Rusisë, duke mbështetur politikat kineze veçanërisht në raport me planet hegjemoniste për Tajvanin dhe politikat hegjemoniste ruse për Ukrainën.

E perspektiva e Serbisë drejt Bashkimit Evropian (BE) është ende e pasigurt. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse Serbia do të ndjekë politika të favorvshme ndaj stabilitetit rajonal. Ajo nuk i ka vendosur sanksione Rusisë për agresionin në Ukrainë. Serbia, gjatë gjithë historisë saj, ka marshuar sipas një daulleje krejt të ndryshme nga pjesa tjetër e botës perëndimore.

Ilustrim

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, dhe sekretari i Mbrojtjes, Lloyd…