Kina i kundërpërgjigjet ShBA-së me tarifa
Kina ka bërë me dije se do t’iu vë tarifa mallrave amerikane në vlerë prej 60 miliardë dollarësh, nisur nga 1 qershori.
Njoftimi vjen tri ditë pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) i kanë rritur për më shumë se dyfish tarifat mbi importet e Kinës, në vlerë prej 200 miliardë dollarësh.
Më herët, presidenti amerikan, Donald Trump, ka mohuar se konsumatorët e ShBA-së do të paguajnë për tarifat më të larta ndaj mallrave kineze dhe e ka paralajmëruar Kinën që të mos e ndjekë shembullin.
Por, Komisioni i Politikave Tarifore të Kinës ka thënë se Pekini “nuk do të gëlltisë asnjë frut të hidhur” që i dëmton interesat e tij.
Tarifat kineze do të aplikohen në më shumë se 5 000 prodhime amerikane, duke filluar nga 5 për qind deri në 25 për qind.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Geng Shuang, ka thënë në një konferencë për medie se Kina “nuk do të dorëzohet kurrë ndaj presionit të jashtëm”.
“Kina nuk duhet të hakmerret”, ka shkruar Trump në llogarinë e vet në “Twitter”, pak orë para vendimit të ri të Kinës.
Trumpi po ashtu ka thënë se konsumatorët amerikanë mund t’i shmangin tarifat duke blerë prodhime të njëjta nga burime të tjera.
Uashingtoni ka thënë se suficiti tregtar i Kinës me ShBA-në është rezultat i praktikave të padrejta, përfshirë mbështetjen e shtetit për kompanitë vendase.
ShBA-ja gjithashtu e ka akuzuar Kinën për vjedhjen e pronës intelektuale nga firmat amerikane.
Rrethi i fundit i negociatave tregtare ShBA-Kinë ka mbaruar të premten në Uashington pa ndonjë marrëveshje.