Kina ia hedh fajin Spanjës: Covid-19 e ka origjinën në Europë
Kina është përpjekur të fajësojë Spanjën për koronavirusin e ri ndërsa sugjeron që sëmundja vdekjeprurëse e ka origjinën në Evropë dhe jo Wuhan.
Rastet e para u zbuluan në qytetin kinez të Wuhan-it në fund të vitit 2019. Virusi mendohet të ketë nisur që të përhapet nga një treg i madh ku shiteshin kafshë të egra, dhe më pas u gjend në të gjithë botën.
Kina është akuzuar se ka mbuluar shfaqjen e rasteve të para duke u mbyllur gojën mjekëve të cilët u përpoqën të paralajmërojnë publikun, duke hutuar studiuesit e shkencëtarët që e identifikuan atë si një koronavirus të ri, dhe nuk arriti të paralajmërojë pjesën tjetër të botës derisa u bë vonë.
Organizata Botërore e Shëndetit pritet tashmë që të nisë një mision në Kinë javën e ardhshme, si pjesë e përpjekjeve të saj për të gjurmuar origjinën e Covid-19, ndërsa pandemia “lulëzon” në vende si SHBA, Brazili, Meksika dhe Rusia.
Në përpjekjen e fundit të Kinës për të hequr fajin nga vetja, Wang Guangfa, këshilltar i lartë shëndetësor me qeverinë, u tha mediave shtetërore që zyrtarët e OBSH-së duhet të shikojnë një numër vendesh, përfshirë Spanjën, si pjesë e hetimit të tyre.
Ai përmendi studimet në Barcelonë për të cilat thuhet se kanë zbuluar Covid-19 në mostrën e ujërave të zeza nga marsi i 2019, rreth nëntë muaj para se mjekët në Wuhan të alarmoheshin nga grupi i parë i rasteve.