Kina kërkon nga Kanada lirimin e menjëhershëm të financieres se “Huawei”-t
Kina ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të drejtueses së lartë të kompanisë “Huawei”, arrestimi i së cilës kërcënon të shndërrohet në një incident të madh diplomatik.
Pekini i ka kërkuar Otavës dhe Uashingtonit të qartësojnë shkaqet e arrestimit të Meng Wanzhou, shefes financiare të kompanisë kineze të arrestuar në Vankuver, e që përballet tani me ekstradim në SHBA.
Kanadaja ka konfirmuar arrestimin e saj vetëm mesnatën e së mërkurës. Ministria e Jashtme kineze ka thënë se Pekini u kishte kërkuar Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë të qartësonin menjëherë arsyet e arrestimit dhe kishte kërkuar lirimin e menjëhershëm të saj.
Polemikat kërcënojnë të thellojnë hendekun ekzistues mes SHBA dhe Kinës. Kina ka deklaruar se i ka siguruar asistencë konsullore të arrestuarës, që pasi ka mësuar për ndalimin e saj. Meng është një nga zëvendëspresidentet e bordit të kompanisë kineze të teknologjisë, si dhe e bija e themeluesit të saj, Ren Zhengfei. Arrestimi i saj raportohet të jetë i lidhur me shkelje të supozuara të sanksioneve amerikane.
“Huawei” është një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të pajisjeve të rrjetit të telekomunikacionit. Vet kompania ka thënë se ka zbatuar të gjitha ligjet dhe rregulloret në fuqi, kudo ku ajo vepron, përfshirë edhe ligjet e sanksioneve.
Kompania është kufizuar ndjeshëm në SHBA, për shkak edhe të shqetësimeve të kësaj të fundit se ajo mund të cenojë konkurrentët lokalë, dhe se telefonat apo pajisjet e saj që përdoren gjerësisht në vende të ndryshme, mund t’i ofrojnë Pekinit mundësinë për spiunazh./tch/