Kina ndez projektorët kah Evropa përmes “Belt and Road”
Shkruan: Agron Hoti
Zhvillimi i hovshëm ekonomik i Kinës në tri dekadat e fundit ka bërë që Kina të tejkalojë Gjermaninë në vitin 2007 si ekonominë e tretë në botë që ishte dhe Japoninë në vitin 2011 si ekonominë e dytë pas ShBA-ve.
Bile-bile sipas Angus Maddison (Statistikat e Popullsisë Botërore, GDP dhe GDP për frymë, 1-2008 AD, IMF) pjesëmarrja e Kinës në GDP-në (Bruto Prodhimin Vendor) botërore për vitin 2017 sipas Paritetit të Fuqisë Blerëse (PPP) ishte 18.3% (23.2 trilion dollarë), kurse e ShBA-së 15.3% (19.4 trilion dollarë), aspekt që dëshmon epërsinë kineze përballë asaj amerikane në segmente të caktuara të ekonomisë.
Në vazhdën e ekspansionit ekonomik të Kinës të shekullit 21, presidenti Kinez, Xi Jinping, në mars të vitit 2015 në konferencën vjetore në Boao Forum for Asia (BFA), thoshte, ndër të tjera, se: ekonomia kineze është thellësisht e integruar në ekonomi globale dhe është forcë e rëndësishme shtytëse e ekonomisë së Azisë dhe asaj botërore në tërësi……dhe se ekonomia kineze është duke i zgjeruar kapacitetet investive të saj”.
Me gjithë përqendrimin e saj në projekte infrastrukturore, përpjekjet kineze shkojnë përtej strategjisë së saj ekonomike bile edhe asaj diplomatike, sepse iniciativa e Kinës “Belt and Road” synon ta zgjerojë perandorinë e saj brenda gjeopolitikës së shekullit 21, kuptohet përderisa kjo do të jetë e mundshme karshi një ShBA-je të superfuqishme?
Vizioni i presidentit Kinez Xi është një program ambicioz i ndërtimit të infrastrukturës që do të lidhte Kinën me rajonet më pak të zhvilluara që kufizohen me Kinën bashkë me vendet fqinje të saj. Prandaj, iniciativa “Road and Belt” sipas Lowy Institutit for International Policy me të drejtë konsiderohet “si njëri nga planet më të mëdha zhvillimore në historinë moderne”.
Një faktor tjetër i brendshëm që ka shtyrë Kinën për këtë iniciativë janë dallimet e mëdha në zhvillim ekonomik mes rajoneve perëndimore kontinentale të saj dhe pjesës lindore bregdetare apo siç shpjegonte revista e njohur Economist se “mega-metropoli bregdetar Shangai është pesë herë më i pasur se sa provinca kontinentale Gansu”. Dhe interesi kryesor kinez, ndër të tjera, është zvogëlimi i këtyre dallimeve ekonomike brenda për brenda,përmes përfshirjes së këtyre rajoneve në iniciativën “Road and Belt”.
Se a do të synojë shteti kinez përmes këtyre mega-iniciativave plane perandorake përballë rendit të rregulluar ndërkombëtar, mbetet të shihet se në ç’masë globalizimi do ta ndryshojë apo transformojë këtë shtet gjigant në ekonomi të tregut e të integruar në rendin ndërkombëtar, sa demokratik do të bëhet ky shtet nga brenda si dhe sa do të zhvillohet ky shtet siç e përshkruante ish-zëvendëssekretari i Shtetit Robert Zoellick në “akter të përgjegjshëm” jashtë.
Që nga Lufta e Dytë Botërore, perëndimi i udhëhequr prej ShBA-së është përpjekur vazhdimisht që të parandalojë lindjen e ndonjë “konkurrenti homolog”, i cili do të sfidonte dominimin ushtarak të ShBA-ve në glob. Dhe në këtë drejtim ShBA-të synim parësor jetik dhe strategjik kanë parandalimin me çdo mjet të ndonjë hegjemonie euroaziatike. Për këtë arsye ShBA-të në Strategjinë Kombëtare të Sigurisë së publikuar së fundi parashohin rrezikun që “Kina dhe Rusia duan ta formësojnë një botë sipas modeleve të tyre autoritare” dhe se “Kina e Rusia tanimë janë duke e minuar nga brenda rendin ndërkombëtar”.
Iniciativa “Belt and Road” është strategji zhvillimore e propozuar nga presidenti kinez, Xi Jinping në fund të vitit 2013 që ka për qëllim ndërlidhjen (konektivitetin) dhe bashkëpunimin mes vendeve të Euroazisë, pra kryesisht Kinës me Rripin Tokësor të Rrugës së Mëndafshit dhe Rripin Ujor të Rrugës së Mëndafshit.
Shekuj me radhë rrjeti i rrugëve tregtare që kalonin nëpër Azinë Qendrore dhe Detin Mesdhe, lidhte Kinën me Kontinentin Evropian duke lehtësuar shkëmbimet tregtare dhe kulturore mes tyre. Edhe sot kjo rrugë s’është më pak e rëndësishme, pasi që Kina duke u zhvilluar politikisht dhe ekonomikisht është duke bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të arritur synime të largëta dhe për të gjetur rrugë të ndryshme për të siguruar qasje në tregje të huaja.
Pra, Kina ka ndërmarrë këtë iniciativë për të forcuar lidershipin e saj rajonal përmes një programi të gjerë të integrimit ekonomik. Qëllimi i saj është që të krijojë një rrjet rajonal të prodhimit, përmes të cilit Kina do të bëhej standardi, qendra e prodhimit të avancuar dhe inovacionit.
Për të mbështetur financiarisht mega-iniciativën “Belt and Road” Kina me shtete të interesuara në vitin 2015 ka themeluar Bankën Aziatike të Investimeve Infrastrukturore me një kapital prej 100 miliard dollarë për projekte infrastrukturore. Qëllimi kryesor i kësaj banke është adresimi i nevojave infrastrukturore në rritje gjithandej Azisë, rritja e bashkëpunimit rajonal, promovimi i zhvillimit ekonomik dhe përmirësimi i qasjes publike në shërbime sociale. Po ashtu, Kina në nëntor 2014 pati themeluar Fondit për Rrugën e Mëndafshit në vlerë prej 40 miliard dollarë, i paraparë për të investuar në biznese. Të dyja instrumentet, të kombinuara së bashku, synojnë nxitjen e zhvillimit ekonomik në drejtim të interesave kineze.
Iniciativa “Road and Belt” synon të lidhë Azinë me Evropën. Pra, në aspektin gjeografik Evropa përbën pikën e fundit të Rrugës së Re të Mëndafshit. Rritja e konektivitetit me Evropën mund t’i ofrojë Kinës mundësinë për qasje në tregje të reja, në teknologji të reja dhe asete strategjike për të lehtësuar kështu planet për reforma të brendshme industriale.
Kjo iniciativë përfshinë 25 shtete të ndara në 6 mega-koridore: 1) Kina, Mongolia, Rusia; 2) Kina, Azia Qendrore dhe Azia Perëndimore (Kirgistani,Taxhikistani, Uzbekistani, Turkmenistani, Irani, Gjeorgjia, Azerbaixhani, Armenia dhe Turqia); 3) Kina dhe Pakistani; 4) Kina dhe Indokina (Vietnami, Kamboxha, Laosi, Tajlanda, Malejzia, Indonezia, Brunei); 5) Bangladeshi, Kina, India, Myanmari, Butani, Nepali, dhe 6) rruga e re euro-aziatike Kinë, Kazakistan, Rusi.
Për të jetësuar ekspansionin e saj ekonomik Kina ka filluar të investojë në mega-projekte infrastrukturore si rrugë, hekurudha dhe porte detare. Ndër projektet më të mëdha në kuadër të iniciativës “Road and Belt” është Koridori Ekonomik Kinë-Pakistan, i cili lidh rajonin problematik kinez me shumicë muslimane Xinjiang me Portin e Gwadar të Pakistanit në vlerë prej 46 miliardë dollarë.
Duke qenë se shumica e eksporteve kineze transportohen përmes rrugëve detare, pra përmes porteve, kompanitë kineze janë duke investuar në portet e Evropës Jugore si në Greqi, Itali, Spanjë dhe Adriatik. Sigurisht që këto projeksione kineze bien ndesh me portet kryesore të Evropës Veriore të Hamburgut, Roterdamit dhe Antverpenit, si tri portet kryesore të Evropës.
Edhe interesimi i kinezëve për të investuar në portet shqiptare është në linjë me iniciativën kineze “Road and Belt”. Edhe Britania e Madhe, pas zhvillimeve të Brexit-it, ka dhënë sinjale që të rrisë bashkëpunimin me Kinën në tregti dhe investime, prandaj edhe Kina synon të lobojë për krijimin e lehtësirave për investime kineze dhe për të rritur qasjen në tregjet globale financiare.
Ndërkohë që, strategjia kineze në Evropë ka filluar zbatuari më së miri në portin grek Piraeus, të cilin kinezët e kanë marrë me koncesion nga grekët për 35 vite në vlerë prej 4.3 miliardë dollarë. Mallrat kineze në portin grek të Piraeus arrijnë 10 ditë më herët se sa ato në portet e Evropës Veriore dhe kjo sigurisht që përbën sfidë serioze për portet e Hamburgut, Roterdamit dhe Antverpenit.
Në këtë mënyrë Kina shpreson të shtrijë eksportet e saj në Evropën Juglindore dhe Qendrore si pjesë e zhvillimit të lidhjeve të transportit përmes Ballkanit. Në këtë drejtim Kina synon të financojë modernizimin e hekurudhës Beograd-Budapest me qëllim të lidhjes sa më të shpejtë me Portin grek Piraeus. Pastaj, për të rritur trafikun e transportit të mallrave përmes hekurudhaveKina synon të lidhë qytetet industriale të Kinës kontinentale dhe detare me Hamburgun, Varshavën dhe Roterdamin nëpërmjet Rusisë dhe Azisë Qendrore.
Ndërkohë që vende të BE-së në krizë si Greqia, duke qenë në vështirësi të shumta ekonomike, u kanë hapur rrugë investimeve kineze karshi masave restriktive të BE-së. Edhe shtete tjera të Evropës Qendrore si Hungaria me Poloninë janë duke bërë fushatë pro “Belt and Road” duke u hapur ndaj investimeve kineze dhe në njëjtën kohë duke sfiduar seriozisht Brukselin.
Ajo çfarë është edhe më shqetësuese është se investimet kineze në Evropë janë duke u bërë nga kompani shtetërore kineze, aspekt ky në kundërshtim me politikat e BE-së për sforcimin e sektorit privat si shtytës i zhvillimit ekonomik.
Përpjekjet për anashkalim të politikave të BE-së shpërfaqen edhe në politikat e shtetit kinez, që për implementimin e projekteve infrastrukturore në Evropë të financuara nga vetë kinezët, të kontraktohen kompani kineze sipas procedurave tenderuese kineze duke rënë ndesh me politikat e BE-së për konkurrencë të lirë.
Përmes kësaj iniciative Kina ja ka dalë të depërtojë në BE duke anashkaluar Gjermaninë dhe Francën si dy shtetet kryesore të BE-së. Rrënjët e këtij depërtimi kinez në Evropë janë sforcuar si rezultat i krizës financiare globale të vitit 2008, krizës së refugjatëve të lindjes së mesme, populizmi i theksuar, Brexit-i, aspekte këto që kanë ulur performancën e BE-së për të vepruar si një mekanizëm i unifikuar.
Për më tepër në Evropë janë duke u rritur lëvizjet nacionaliste dhe mospajtimet për çështje të ndryshme ekonomike, aspekte këto që kanë dërmuar funksionalitetin e BE-së në kohën kur BE është duke u përballur me kërcënimet ruse në kufijtë e saj dhe me rendin e ri politik që është duke rrjedhur nga Lindja e Mesme.
Kjo iniciativë kineze, së bashku me politikat ekspansioniste ruse dhe turke drejt Ballkanit, shpërfaq më së miri të pathënat e arsyeve të vërteta se pse ka filluar Procesi i Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Pra, BE-ja duke parë rrezikun e rrëshqitjes së Ballkanit Perëndimor drejt synimeve kineze, ruse dhe turke, ka ndërmarrë hapa konkret për të lidhur këtë rajon me BE-në. E duke ditur që infrastruktura e Ballkanit Perëndimor lë shumë për të dëshiruar, atëherë BE dhe shtete të fuqishme anëtare të saj janë duke e shtyrë përpara Procesin e Berlinit për përmirësimin dhe modernizimin sa më të shpejtë të infrastrukturës në sektorët e transportit, energjisë, mjedisit dhe çështjeve sociale.
Duke u gjendur në kësi konstelacione gjeopolitike dhe gjeostrategjike është jashtëzakonisht e rëndësishme që oferta e BE-së karshi vendeve të Ballkanit Perëndimor të jetë konkrete dhe sa më joshëse për të mbajtur gjallë perspektivën e Integrimit Evropian. Ndërkohë, që shtetet e Ballkanit Perëndimor, si përfituese direkte të Procesit të Berlinit, duhet që patjetër të tregojnë përkushtim politik dhe institucional në përmbushjen e kushteve që kërkon Procesi i Berlinit në veçanti dhe ai i Integrimit Evropian në përgjithësi.
Përndryshe, rreziku i rrëshqitjes së rajonit drejt synimeve ruse, kineze dhe turke nuk është për t’u nënçmuar. Një Ballkan Perëndimor me shumë probleme politike, i pazhvilluar ekonomikisht dhe jostabil, jo vetëm që zvetënon përpjekjet për t’u afruar në BE, por ai në të njëjtën kohë trason rrugën për investitorë joevropian, e kjo është ajo që më së paku kanë interes qytetarët e Ballkanit Perëndimor, e sidomos shqiptarët si populli më pro amerikan dhe pro evropian në botë.
E për t’u bërë pro amerikan dhe pro evropian, pra pro vlerave demokratike perëndimore, shqiptarët duhet të tregohen edhe me vepra duke u hapur rrugë investimeve perëndimore.