
Kina në gjah për mundësi në Evropë dhe Tajvan pas përçarjeve transatlantike
Pas një jave të ngjeshur diplomatike dhe diskutimeve se si mund t’i jepet fund luftës në Ukrainë, të cilat kanë rritur dallimet mes Shteteve të Bashkuara dhe fuqive perëndimore, si dhe kanë ngritur pikëpyetje për ndihmën amerikane për Ukrainën, Kina është duke analizuar mënyra si mund të përfitojë nga gjithë këto zhvillime.
Për Pekinin, përçarjet diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve evropianë – e fundit e nxitur nga diskutimi i nxehtë në Zyrën Ovale mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky – përbëjnë mundësi të reja për përmirësim të marrëdhënieve me Evropën.
Diçka e tillë mund të ketë ndikim edhe në Azi, pasi vendet që janë të lidhura me Uashingtonin, sikurse Tajvani, janë duke u përballur me implikimet e një SHBA-je më transaksionale.
Një situatë e tillë mund të forcojë Kinën në atë rajon, e cila vazhdimisht përpiqet t’i shtrijë më shumë rrënjët në Paqësor.
“Nuk ka dilema që kjo ka qenë gjë e mirë për Kinën”, ka thënë Andrew Small, hulumtues i lartë në Fondin Gjerman Marshall në Berlin, i cili paraprakisht e ka këshilluar Komisionin Evropian për strategjinë rreth Kinës, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
“Pekini beson se mund të përfitojë shumë nga kjo situatë, duke nisur nga kontingjentet në Tajvan, e deri te një bashkëpunim më i madh me Rusinë, që do të nënkuptonte një SHBA të dobësuar”.
Si mund të përfitojë Kina nga ndryshimi i politikës amerikane?
Kina veçse është interesuar për të kontaktuar me Brukselin dhe kryeqytetet tjera evropiane, para zhvillimeve të fundit në Uashington, të cilat rezultuan me largimin e Zelenskyt nga Shtëpia e Bardhë, pa e nënshkruar marrëveshjen e rëndësishme për minerale.
Përmes këtyre përpjekjeve, diplomatët kinezë janë munduar që t’i shfrytëzojnë shqetësimet lidhur me synimet e SHBA-së që t’i rivendosë marrëdhëniet me Rusinë dhe të përfundojë shpejt luftën në Ukrainë – duke braktisur kështu aleatët evropianë – kanë thënë tre zyrtarë të Bashkimit Evropian, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Pekini, i cili është deklaruar neutral, por e ka mbështetur Rusinë në luftën e saj në Ukrainë, është duke tentuar të përfitojë edhe më tepër nga mosmarrëveshjet transatlantike, përfshirë planet e Trumpit që të godasë BE-në me tarifa prej 25 për qind, për të cilat Brukseli është zotuar se do të kundërpërgjigjet.
Small beson se kinezët janë ende në fazën e “gjetjes së fakteve” për të kuptuar se çfarë mund të përfitojnë në këtë kontekst.
“Gjithçka që Kina do të çojë përpara do të shihet me skepticizëm”, ka thënë ai.
“Por, Pekini beson se do të ketë përfitime pas fazës së parë, sidomos nëse nisin të zbatohen tarifat”.
A dëshiron Kina që të jetë paqebërëse në Ukrainë?
Në Konferencën e Sigurisë në Munih, të mbajtur në shkurt, ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, ka thënë se Kina beson që të gjitha palët duhet të marrin pjesë në bisedimet për paqe, duke vënë në pah rolin e Evropës. Këto deklarata janë bërë para takimit mes zyrtarëve të SHBA-së dhe Rusisë në Riad, në të cilin nuk janë ftuar zyrtarë evropianë, dhe as ata nga Kievi.
“Nëse do të isha në vendin e Pekinit, do t’iu thosha evropianëve atë që duan të dëgjojnë, e ata aktualisht duan të dëgjojnë se Evropa dhe Kievi duhet të përfshihen në negociatat për të ardhmen e Ukrainës”, ka thënë në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë Zsuzsa Anna Ferenczy, profesoreshë në Universitetin Kombëtar Dong Hwa në Tajvan, dhe dikur këshilltare në Parlamentin Evropian.
Në margjina të konferencës, koloneli i pensionuar kinez, Zhou Bo është bërë kryelajm nëpër gazeta, pasi nuk e ka përjashtuar mundësinë që të ketë paqeruajtës kinezë dhe indianë në Ukrainë, në kuadër të marrëveshjes për përfundim të luftës.
Këto deklarata janë pasuar nga komentet e Wangut në takimin e grupit të 20 vendeve më të industrializuara (G20) në Afrikën e Jugut, ku ka thënë se bisedimet mes SHBA-së dhe Rusisë në Arabinë Saudite janë “dritare mundësie për paqe” në Ukrainë, dhe që “Kina do të vazhdojë të luajë rol konstruktiv në zgjidhje politike të krizës”.
Ferenczy beson se këto deklarata janë ‘tullumbace testuese’ për Pekinin për të parë sa mund të ketë ndikim fjala e tij, ndonëse, sipas saj, problemet tregtare ndër vite mes Brukselit dhe Pekinit, dhe afërsia e Kinës me Rusinë në periudhën e luftës, janë elemente që vështirë harrohen.
Mes tjerash, Pekini do të duhet të punojë në zhdukjen e përshtypjes se përpjekjet e tij diplomatike janë më tepër për imazh, sesa për arritje të paqes.
Pak pas nisjes së luftës, lideri kinez, Xi Jinping e ka përshkruar Kinën si neutrale dhe diplomatët kinezë kanë bërë thirrje për paqe nëpër forume ndërkombëtare. Më 2023, Pekini e ka prezantuar një plan paqeje për Ukrainën, të përbërë nga 12 pika, i cili mëtonte arritjen e armëpushimit dhe nisjen e bisedimeve për paqe, mirëpo nuk ofronte udhëzime se si mund të përfundonte lufte, prandaj zyrtarët evropianë e patën përjashtuar mundësinë që ai të shërbente si plan që i shtron rrugën paqes.
A do ta prekin Azinë tensionet diplomatiket për Ukrainën?
Administrata Trump ka thënë se përpjekjet e saj janë të dizajnuara që t’i shtyjnë aleatët të ndajnë më shumë fonde për mbrojtje, të rikalibrohen marrëdhëniet tregtare dhe t’i jepet fund luftës në Ukrainë.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth ka thënë që nëse Shtetet e Bashkuara tërheqin ndihmën ushtarake për Ukrainën, kjo do t’i mundësonte Uashingtonit që t’i fokusonte resurset e veta në rajonin e Azi-Paqësorit, ku administrata ka thënë se luftimi i Kinës është prioritet.
Megjithatë, ka sinjale të hershme që qasja e Uashingtonit për dhënie fund të luftës në Ukrainë do të ketë efekt të dyfishtë në lindje, sidomos në Tajvan, ishullin që vetëqeveriset, të cilin Pekini është zotuar se do ta aneksojë me forcë, nëse refuzon bashkim paqësor.
Tajvani është përballur për kohë të gjatë me mundësinë e një pushtimi kinez, dhe presioni tani sa shkon e rritet.
Më 28 shkurt, Ministria e Brendshme e Kinës, ka thënë se nuk e përjashton mundësinë e përdorimit të forcës kundër Tajvanit, ndërsa zëdhënësi i saj, Wu Qian i ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara se “lojërat mashtruese do t’i vuajë vetëm Tajvani”.
Këto komente u bënë pasi autoritetet tajvaneze kanë thënë se kanë ndaluar një anije mallrash me ekip me shtetësi kineze, që besohet se ka këputur kabllo nënujore të komunikimit.
Aftësia e Tajvanit për t’u përballur me ndonjë sulm varet prej gatishmërisë së SHBA-së për ta ndihmuar, dhe qeveria tajvaneze e ka shikuar me vëmendje qasjen e SHBA-së ndaj Ukrainës, si shembull se çfarë mund të përjetojë në të ardhmen, në rast të ndonjë krize me Kinën.
Ryan Hass, ish-drejtor për Kinën në Këshillin amerikan për Siguri Kombëtare, ka thënë se përpjekjet e Trumpit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, dhe përplasjet e tij me Zelenskyn në Zyrën Ovale, patjetër se do të shkaktojnë ankth në Taipei, por që nami unik i Tajvanit, si prodhues i 90 për qind të gjysmëpërçuesve më të avancuar, në nivel botëror, ia shton pikët në marrëdhënien me SHBA-në.
Trump i ka bërë thirrje Taipeit që t’i rrisë shpenzimet në mbrojtje, dhe ka thënë se dëshiron që t’i zhvendosë fabrikat e prodhimit të gjysmëpërçuesve në SHBA.
Megjithatë, çdo mundësi e zhvendosjes merr kohë dhe është proces i kushtueshëm.
Hass ka thënë se ky fakt e bën Tajvanin “të pandashëm prej synimeve të Trumpit për rilindje industriale në Amerikë”, teksa tenton të ndryshojë pamjen e industrisë amerikane të prodhimit.
“Tajvani ka nevojë për SHBA-në, por edhe SHBA-ja ka nevojë për Tajvanin”, ka shkruar Hass në X.
Shefi i kompanisë tajvaneze për prodhim të çipave gjysmëpërçues TSMC, e ka vizituar Shtëpinë e Bardhë më 3 mars, dhe ka bërë të ditur se do të investojë 100 miliardë dollarë në SHBA.
TSMC, prodhuesi më i madh në botë i çipave të avancuar, njëherësh furnizues tejet i rëndësishëm për prodhuesit e hardueit amerikan, ka thënë se plani parasheh ndërtimin e pesë fabrikave në SHBA në vitet në vijim. /REL