Kina paralajmëron Avdullah Hotin pas vizitës në Tajvan
Një vizitë e ish-kryeministrit të Kosovës dhe deputetit të LDK-së, Avdulla Hoti në Tajvan ka ngjallur reagimin e Kinës.
Mediat serbe, kanë raportuar se Ambasada e Kinës në Beograd e ka paralajmëruar Hotin, të qëndroj larg manovrave politike, siç i ka quajtur Kina, në raport me Tajvanin.
Hoti me disa deputetë të pozitës dhe opozitës kanë qëndruar në një vizitë zyrtare në Tajvan nga 11 deri më 16 mars.
Ambasada e Republikës Popullore të Kinës në Beograd, ka thënë se politikanët e institucioneve në Prishtinë kanë mbështetur hapur forcat separatiste gjatë vizitës së tyre në rajonin kinez të Tajvanit.
Ish-kryeministri, i Kosovës, Avdulah Hoti, ka udhëhequr grupin ndërpartiak të Kuvendit në një vizitë në Tajvan, nga 11 deri më 16 mars.
“ Ky veprim cenon rëndë sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial të Kinës dhe ndërhyn rëndë në punët e brendshme të Kinës, gjë që pala kineze e kundërshton me vendosmëri. Tajvani është pjesë e pandashme e territorit kinez dhe çështja e Tajvanit është thjesht një çështje e brendshme e Kinës dhe asnjë forcë e jashtme nuk mund të ndërhyjë në të”, ka thënë ambasada kineze.
Më tutje është thënë se parimi i një Kine është një normë bazë e njohur e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe një konsensus universal i komunitetit ndërkombëtar.
“Pala kineze paralajmëron fuqishëm politikanët përkatës në Prishtinë që të ndalojnë menjëherë manovrat e tyre politike për çështjen e Tajvanit, të ndalojnë dërgimin e sinjaleve të gabuara për forcat separatiste të ‘pavarësisë së Tajvanit’ dhe të ndalojnë së vepruari si peng i ‘pavarësisë së Tajvanit’ dhe anti-forcat kineze”, kanë theksuar nga ambasada kineze.
Pala kineze u ka bërë thirrje institucioneve në Prishtinë që t’i përmbahen parimit të një Kine dhe të ndalojnë cenimin e interesave thelbësore të Kinës.
“Dëshiroj të theksoj se vendosmëria e Kinës për të ruajtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial është e palëkundur dhe se çdo përpjekje e çdo fuqie për të luajtur ‘kartën e Tajvanit’ nuk do të ketë sukses”, kanë thënë nga Ambasada e Republikës së Kinës në Serbi.