Kina: Pavarësia e Tajvanit nënkupton luftë
Kina ka paralajmëruar se përpjekjet e Tajvanit për të kërkuar pavarësi, “nënkuptojnë luftë”.
Paralajmërimi vjen disa ditë pasi Kina ka rritur aktivitetet e saja ushtarake, duke fluturuar me avionë luftarakë pranë ishullit.
Ky paralajmërim vjen pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka rikonfirmuar angazhimin e tij ndaj Tajvanit.
ShBA-ja ka theksuar se paralajmërimi i fundit i Kinës “është për keqardhje”.
Kina e sheh Tajvanin si provincë të shkëputur, por Tajvani e sheh veten si shtet sovran.
“U themi seriozisht atyre forcave të pavarësisë së Tajvanit: ata që luajnë me zjarr, do të digjen vetë, dhe pavarësia e Tajvanit do të thotë luftë”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë kineze të Mbrojtjes, Wu Qian.
Wu po ashtu ka mbrojtur aktivitetet e fundit ushtarake të Kinës, duke thënë se ato ishin “veprime të nevojshme për të adresuar situatën aktuale të sigurisë në ngushticën e Tajvanit dhe për të mbrojtur sovranitetin dhe sigurinë kombëtare”.
Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, ka thënë se “nuk sheh arsye se përse tensionet mbi Tajvanin duhet të çojnë në diçka si konfrontimi”.
Administrata e re e ShBA-së pritet të bëjë presion mbi Kinën për një gamë të gjerë çështjesh, përfshirë të drejtat e njeriut, mosmarrëveshjet tregtare, Hong Kongun dhe Tajvanin.