Kina përgëzon Kimin për ulje të tensioneve
Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi ka përgëzuar liderin verikorean, Kim Jong Un për hapat e tij që kanë dërguar në uljen e tensioneve me Korenë Jugore, ka bërë me dije shteti kinez.
Takimi në Phenjan ka vënë në dukje përmirësimin e marrëdhënieve dhe dëshirën e Pekinit për mbajtur rolin kyç në procesin e paqes në Gadishullin Korean.
Ministria kineze ka njoftuar përmes një deklarate se ministri Wang, i ka thënë Kimit se Pekini mbështet planin e Koresë Veriore për t’u fokusuar në rritjen ekonomike, së bashku me përpjekjet për zgjidhjen e “shqetësimeve të sigurisë” teksa fillon procesin e denuklerizimit.
Kina, “mbështet dhe përshëndet”, takimin e Kimit me presidentin jugkorean, Moon Jae-in, është cituar të ketë thënë Wang.
Marrëdhëniet në mes të Kinës dhe Koresë Veriore janë përmirësuar dukshëm pas vizitës së Kimit në Pekin.
Kina, ndonëse partnerja më e madhe tregtare e Koresë Veriore, i është bashkuar sanksioneve të Kombeve të Bashkuara kundër këtij shteti.
Sanksionet kanë ndërprerë marrëveshjet tregtare në mes të kinezëve dhe verikoreanëve për rreth 90 për qind.