Kina punon ditë e natë për ta shuar llambën e lirisë fetare
Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, akuzoi Kinën për shtypje të lirive fetare, sidomos ndaj komunitetit mysliman. Kryediplomati amerikani bëri këto komente gjatë një fjalimi në Itali, ku po qëndron për një vizitë dyditore.
Sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo tha se Kina është vendi më i keq në botë sa i përket lirisë fetare. Deklarata e ashpër vjen pas kritikave në rritje të lidhjeve midis Vatikanit dhe Pekinit. “Askund në rajon liria nuk sulmohet më shumë sesa brenda Kinës. Partia Komuniste Kineze e sheh veten si autoriteti më i lartë moral. Shtypja në rritje vjen nga frika e mungesës së legjitimitetit demokratik, prandaj ata punojnë ditë e natë për ta shuar llambën e lirisë, veçanërisht atë fetare, në një shkallë të tmerrshme”, tha zoti Pompeo gjatë një fjalimi në konferencën e organizuar nga Vatikani në Romë, me titull “Në mbrojtje të lirive fetare përmes diplomacisë”.
Sekretari Pompeo, përsëriti kritikat e mëparshme, duke thënë se ujgurët dhe pakicat e tjera myslimane në Kinë janë persekutuar, ndërsa shtoi se ka edhe komunitete të besimeve të tjera që keqtrajtohen në shtetin aziatik.
Kina vazhdimisht mohon keqtrajtimin e ujgurëve në ato që i quan qendra të formimit profesional, të cilat, sipas Pekinit, janë jashtëzakonisht të suksesshme në luftën ndaj ekstremizmit dhe dhunës.
Gjatë viteve të fundit qindra vetë kanë gjetur vdekjen gjatë trazirave në Xinjiang. Pekini akuzon për to grupet islamiste dhe ekstremiste. Grupet për të drejtat e njeriut thonë se reagimet e dhunshme shkaktohen nga shtypja që Kina u bën ujgurëve./VOA