Kina thërret në takim ambasadorin e SHBA-së për shkak të sanksioneve
Kina ka thirrur në takim ambasadorin e SHBA-së në Pekin, për t’i paraqitur protestë formale pasi Uashingtoni goditi me sanksione organizatën ushtarake kineze, lidhur me blerjen e raketave dhe avionëve luftarakë rusë.
Në një deklaratë, Ministria e Jashtme kineze i ka quajtur sanksionet e Shteteve të Bashkuara kundër Departamentit për Zhvillimin e Pajisjeve si “shkelje serioze e parimeve themelore të ligjit ndërkombëtar”.
Në deklaratë, që vjen disa ditë pasi Pekini i bëri thirrje Uashingtonit që të tërheq sanksionet ose “do të përballet me pasoja”, thuhet se Shtetet e Bashkuara “nuk kanë të drejtë” të ndërhyjnë në bashkëpunimin ushtarak ndërmjet Kinës dhe Rusisë.
Aty po ashtu thuhet se zëvendësministri i Jashtëm kinez, Zheng Zeguang ka thirrur ambasadorin amerikan Terry Branstad, për të protestuar masat e ndërmarra ndaj palës kineze, pas blerjes së avionëve rusë të tipit Sukhoi Su-35 dhe sistemeve të mbrojtjes raketore S-400.
Sanksionet u vendosën në bazë të një ligji amerikan të njohur si CAATSA. Ky ligj është krijuar për të dënuar Rusinë, për atë që Uashingtoni i cilëson si “aktivitete malinje” të Moskës.
Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi për vendosjen e sanksioneve më 20 shtator. Në listë të të sanksionuarve janë edhe dhjetëra rusë dhe kompani që kanë lidhje me ushtrinë dhe agjencinë e inteligjencës.