Kina thotë se avionët e saj e ndoqën një avion amerikan mbi Ngushticën e Tajvanit
Ushtria e Kinës tha të mërkurën se dërgoi avionë luftarakë për ta vëzhguar dhe paralajmëruar një avion patrullues të marinës amerikane, i cili fluturoi mbi Ngushticën e ndjeshme të Tajvanit, pak javë para zgjedhjeve në Tajvan.
Kina pretendon se ka sovranitet mbi Tajvanin demokratik dhe thotë se ka juridiksion mbi ngushticën e tij, po ashtu.
Tajvani dhe Shtetet e Bashkuara e kundërshtojnë këtë dhe thonë se Ngushtica e Tajvanit është rrugë ujore ndërkombëtare.
Marina amerikane tha se avioni i saj P-8A, i cili përdoret edhe për misione ant-nëndetëse, fluturoi mbi ngushticë në hapësirën ajrore ndërkombëtare.
“Kalimi i avionit nëpër Ngushticën e Tajvanit dëshmon përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur. Ushtria amerikane fluturon, lundron dhe operon kudo që ia lejon ligji ndërkombëtar”, tha marina amerikane nëpërmjet një komunikate. Ushtria e Kinës e përshkroi fluturimin si “zhurmë publike”, duke shtuar se avionët e saj luftarakë u dërguan për ta vëzhguar dhe paralajmëruan avionin amerikan, si dhe për t’u marrë me të “në përputhje me ligjin dhe rregullat”.
Tajvani është duke u përgatitur për zgjedhje presidenciale dhe parlamentare më 13 janar, të cilat Kina i ka cilësuar si zgjedhje mes luftës dhe paqes.
Kina i ka shtuar aktivitetet ushtarake përreth Tajvanit në katër vjetët e fundit.