Kina thotë se Kim Jong Un është i gatshëm për bisedime
Kina thotë se Kim Jong Un ka konfirmuar gjatë një vizite në Pekin përkushtimin për denuklearizimin e gadishullit korean dhe për t’u angazhuar në bisedime me Korenë e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara.
Agjencia kineze e lajmeve, Xinhua, e cila publikoi fotografitë e udhëheqësit të Koresë së Veriut me presidentin kinez, Xi Jinping, raporton se Kim dhe bashkëshortja e tij Ri Sol Ju, qëndruan për një vizitë jozyrtare në Pekin nga e diela deri të mërkurën.
Gjatë takimit të dy udhëheqësit nënvizuan rëndësinë e ruajtjes së aleancës së ngushtë ndërmjet Kinës dhe Koresë së Veriut, të cilat ishin tensionuar pas provave bërthamore dhe me raketa balistike të Phenianit. Xi kishte mbështetur sanksionet e ashpra amerikane që synonin të ushtronin trysni mbi Kimin që të ulet në bisedime për t’i dhënë fund programit të tij kërcënues bërthamor.
Gjatë muajve të fundit, Kim ‘moderoi’ qëndrimin e tij për të mos negociuar meqë “Koreja e Veriut tash është shtet me armë bërthamore”. Ai u vu në përpjekje për të ulur tensionet duke pezulluar provat e tjera, duke marrë pjesë në Lojërat Olimpike dimërore në Korenë e Jugut dhe duke u ofruar për të biseduar me presidentin e Koresë së Jugut Moon-Jae-in në muajin prill dhe me presidentin amerikan Donald Trump, në një takim që pritet të mbahet në muajin maj.
Kim i ka thënë presidentit Xi, se “çështja e denuklearizimit të Gadishullit Korean mund të zgjidhet, nëse Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara u përgjigjen përpjekjeve tona me vullnet të mirë dhe krijojnë atmosferë të paqes dhe qëndrueshmërisë”.
Agjencia verikoreane e lajmeve KCNA, raportoi të mërkurën për vizitën e Kimit në Kinë, por nuk përmendi zotimet e tij për denuklearizim apo takimet e ardhshme.
Të martën presidenti Xi e informoi presidentin Trump për vizitën e Kimit në Pekin. Më pas Shtëpia e Bardhë nëpërmjet një komunikate tha se “ne e shohim këtë zhvillim si dëshmi se fushata e trysnisë maksimale po krijon atmosferë të përshtatshme për dialog me Korenë e Veriut”.