Kina u bën thirrje qytetarëve që peshojnë më pak se 50 kg të mos dalin nga shtëpia

12 prill 2025 | 09:29

Autoritetet në Kinë u kanë bërë thirrje qytetarëve që peshojnë më pak se 50 kilogramë të qëndrojnë brenda, ndërsa vendi përgatitet për erëra të forta që pritet të godasin rajonin verior gjatë fundjavës.

Era të ngjashme me tajfunet pritet të përfshijnë veriun e Kinës nga e premtja deri të dielën, duke detyruar Pekinin të shtyjë ngjarje sportive të rëndësishme, të mbyllë parqe publike dhe të pezullojë dhjetëra linja trenash.

Rreth 22 milionë banorë të rajonit janë paralajmëruar të shmangin udhëtimet e panevojshme, ndërkohë që ata që peshojnë më pak se 50 kilogramë janë këshilluar të mos dalin fare, pasi “mund të marrë era”.

Ky paralajmërim ka bërë xhiron në rrjetet sociale kineze dhe është kthyer në një nga temat më të diskutuara online.

Dhjetëra fluturime janë anuluar, pasi pritet që erëra të fuqishme që vijnë nga Mongolia, me shpejtësi deri në 150 km/h, të përfshijnë provincat veriore të Kinës.

Era me rërë dhe pluhur që vjen nga Mongolia është e zakonshme në këtë periudhë të vitit, por ndryshimet klimatike kanë bërë që ngjarjet ekstreme të jenë më të shpeshta dhe më të forta.

Pekini ka lëshuar për herë të parë pas 10 vitesh një alarm portokalli për erëra të forta, niveli i dytë më i lartë i sistemit me katër shkallë.

Ndërkohë, temperaturat në kryeqytet pritet të bien me 12 gradë Celsius të shtunën, dhe meteorologët paralajmërojnë se shpejtësia e erës mund të barazohet ose të kalojë rekordin e muajit prill që daton që nga viti 1951.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kongresistët amerikanë përmes një rezolute të propozuar kanë kërkuan drejtësi…