Kina uron Putinin për fitoren në zgjedhje
Kina, aleatja kyçe e Rusisë, e ka uruar të hënën presidentin rus, Vladimir Putin, për fitoren në zgjedhje.
Pas 99 për qind të votave të numëruara, Putin i ka fituar 87.33 për qind të të gjitha votave, në një proces zgjedhor të kontrolluar prej Kremlinit.
“Kina shpreh urimet e veta për këtë”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Lin Jian, kur është pyetur për zgjedhjet.
“Kina dhe Rusia janë fqinjët më të mëdhenj të njëri-tjetrit dhe partnerët më të mëdhenj strategjikë në epokën e re”, ka thënë ai.
Kjo shifër në zgjedhje ka qenë rekord për Putinin në zgjedhjet presidenciale që nuk ka pasur një garë të vërtetë.
“Ne besojmë fuqishëm që nën udhëheqësinë strategjike të presidentit kinez, Xi Jinping dhe presidentit Putin, marrëdhëniet Kinë-Rusi do të vazhdojnë të ecin përpara”, ka thënë Lin, duke përmendur se këtë vit shënohet 75-vjetori i krijimit të lidhjeve mes dy vendeve.
Putin e ka lavdëruar të hënën Pekinin, duke thënë se ai është “i sigurt që në vjetët në vijim, ne vetëm do të forcojmë dhe rindërtojmë marrëdhëniet dhe do të arrihet sukses i përbashkët në të mirë të popullit kinez dhe atij rus”, ka thënë agjencia ruse e lajmeve TASS.
“Gjëja më e rëndësishme është rastësia e interesave shtetërore. Kjo krijon një periudhë të mirë për zgjidhje të problemeve të përbashkëta në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare”, është cituar të ketë thënë Putini.
Lidhjet mes dy vendeve janë thelluar pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, pasi Kina ka refuzuar që të dënojë sulmin e Moskës në fqinjin evropian.