Kina vazhdon avazin, shet mish lakuriqi
Kafshë të frikësuara, që janë të vendosura në kafaze të ndryshkura njëra mbi tjetrën, janë pjesë e skenës që është parë sërish në tregjet kineze.
Megjithëse mishi i lakuriqit konsiderohet të jetë shkaktari që e solli koronavirusin te njeriu, sërish ky produkt po vazhdon të shitet në Kinë, krahas maceve dhe qenve, transmeton Telegrafi.
Në hapësira të përgjakura shihen duke u rrjepur edhe lepuj dhe rosa, derisa disa shitës reklamojnë edhe medikamente të krijuara nga speciet e ndryshme si akrepat, gjarpërinjtë dhe merimangat.
Kjo vjen vetëm disa ditë pasi Pekini nisi ta festojë fitoren mbi koronavirusin dhe u kërkoi banorëve që të dalin si zakonisht, në mënyrë që t’i rikthejnë humbjet e mëdha ekonomike.
Derisa shumë shtete të botës janë duke u mbyllur, në Vuhan të Kinës, ku u shfaq së pari koronavirusi, jeta ka filluar t’i kthehet normalitetit.
Por, autoritetet nuk po bëjnë asgjë që ta ndalojnë traditën e ngrënies së kafshëve të egra si pasojë e të cilave besohet të jetë transmetuar infeksioni deri te njeriu.