Kina vendos tarifa të reja ndaj mallrave të ShBA-së
Kina ka njoftuar se ka vendosur tarifë ndaj mallrave amerikane që kapin vlerën rreth 75 miliardë dollarë.
Kjo masë është hakmarrje karshi tarifave të ShBA-së ndaj mallrave të Kinës, të cilat do të hyjnë në fuqi në dy faza, më 1 shtator dhe 15 dhjetor.
Ministria e Tregtisë në Kinë ka njoftuar për tarifat shtesë prej pesë ose 10 për qind, në gjithsej 5.078 produkte amerikane, duke përfshirë produktet bujqësore, naftë bruto dhe avionë të vegjël.
“Vendimi i Kinës për të vendosur tarifa shtesë ka ardhur nga njëanshmëria dhe proteksionizmi i ShBA-së”, ka njoftuar Ministria e Tregtisë në Kinë, duke shtuar se tarifat reciproke gjithashtu do të hyjnë në fuqi në dy faza, më 1 shtator dhe 15 dhjetor.
Këshilltari për Tregti në Shtëpinë e Bardhë, Peter Navaro, ka theksuar se bisedimet tregtare me Kinën do të vazhdojnë prapa dyerve të mbyllura.
Mosmarrëveshjet tregtare mes dy superfuqive ekonomike botërore kanë shkaktuar trazira në tregjet financiare.