Kinemaja “Lumbardhi” rikthehet në pronësi të Komunës së Prizrenit
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka bërë me dije se kinemaja “Lumbardhi” është rikthyer në pronësi të kësaj komune.
Ai ka thënë se për disa dekada “Lumbardhi” ka qenë hapësira kryesore për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore dhe mbase lokacioni më i vizituar nga qytetarët e Prizrenit.
“Në vitet ’90-ta ka degraduar deri në mbyllje, për shkak të zhvillimeve politike në vend. Pas luftës ka pasur përpjekje nga pushtetarët që të bëhet ndryshim i destinacionit të objektit, mirëpo falë përpjekjeve të shoqatave dhe organizatave të ndryshme për rifunksionalizim, kinemaja ka mbijetuar. Një ndër zotimet e mia ka qenë edhe rikthimi i ‘Kino Lumbardhit’ në pronësi të qytetit, në mënyrë që Prizrenit t’ia kthejmë një hapësirë për zhvillimin e aktiviteteve kulturore. Lajm i mirë është se kërkesës së komunës për rikthimin e kësaj hapësire nga AKP-ja në pronësi të qytetit, Qeveria i është përgjigjur pozitivisht”, ka thënë Haskuka.
Ai ka thënë se qyteti i Prizrenit ka pasur nevojë për një hapësirë për organizimin e aktiviteteve kulturore. “Prizreni pos tjerash njihet edhe me epitetin ‘qytet i artit dhe i kulturës’, prandaj është i domosdoshëm ta ketë një hapësirë reprezentative për organizimin e aktiviteteve kulturore. Komuna e Prizrenit dhe Fondacioni Lumbardhi falënderojnë të gjithë akterët e përfshirë në plotësimin e kërkesës shumëvjeçare të qytetarëve të Prizrenit”, është shprehur Haskuka.
/Epoka e re/