Kinematografia dhe rrënjët historike të multiversit

29 prill 2022 | 07:57

Kritiku i filmit në BBC, Nicholas Barber, shkruan për idenë e multiverseve në kinematografi. Pjesë të shkrimit të tij, Telegrafi sjell si më poshtë.

A e mbani mend kur shpëtimi i botës mjaftonte për çdo personazh filmi? Këto ditë duhet të bëjnë më shumë. Te filmi i vitit 2019, “Avengers: Fundgame”, heronjtë më të fuqishëm të Tokës shkuan aq larg sa e shpëtuan Universin. E, në vitin 2022, superheronjtë pritet ta gjejnë rrugën rreth një labirinti të tërë universesh të ndryshme. Ky është Multiversi,

Ky është koncepti qendror i dy filmave të fundit të Spider-Manit. Fillimisht ishte filmi i animuar i vitit 2018, “Spider-Man: Into the Spider-Verse”, që i paraqiti ekuivalentët e Spider-Manit prej universeve të ndryshme alternative, si Spider-Ham dhe Spider-Man Noir. Pastaj ishte aksioni i vitit të kaluar, “Spider-Man: No Way Home” që i paraqiti tre aktorë të ndryshëm që në periudha të ndryshme përgjatë 20 vjetëve të fundit e kanë luajtur si Peter Parkers njeriun merimangë – Tom Holland, Andrew Garfield dhe Tobey Maguire. Dhe, tash vjen “Doctor Strange in The Multiverse Of Madness”.

Multiverset janë pjesë e bisedave, kështu që ku po shkon Toka (ose Tokët)?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet të ktheheni te diskutimet e realiteteve tjera, që në filozofinë e lashtë greke dhe në mitologjinë hindu e atë persiane. Shumë libra merren gjithashtu me dy ose më shumë realitete: për shembull “The Chronicles of Narnia” nga CS Lewis. Por, nocioni i universeve të panumërta bashkekzistuese u parashtrua si mundësi shkencore në vitin 1957 – nga Hugh Everett, matematikan nga Uashingtoni.

Peter Byrne e përshkruan interpretimin e mekanikës kuantike të “shumë botëve” të Everettit, në biografinë “The Many Worlds of Hugh Everett III”. “Everetti e formuloi zgjidhjen për një problem në teorinë kuantike, për problemin e matjes. Thënë më thjesht, problemi lind sepse, logjikisht, një grimcë atomike të njëjtën kohë mund të lëvizë nëpër hapësirë ​​dhe në kohë – sikur të jetë një valë sferike që zgjerohet dhe kalon nëpër të gjitha trajektoret e mundshme. Por, kur bashkëveprojmë me grimcën – kur e matim atë – e gjejmë gjithmonë në një vend, e jo në shumë vende … Everetti tregoi se është matematikisht e qëndrueshme të thuhet se kur një shkencëtar mat pozicionin e një grimce atomike, ai ndahet në kopje të shumta të vetvetes. Çdo kopje rri në univers të ndryshëm. Dhe, çdo kopje e sheh grimcën në pozicion të ndryshëm. Grupi i të gjitha kopjeve mbulon grupin e të gjitha pozicioneve të mundshme të grimcave brenda një multiuniversi. Sipas Everettit, secili univers brenda multiversit degëzohet vazhdimisht si pemë në botë të veçanta, por në paralele që nuk mund të komunikojnë me njëra-tjetrën … Pasojë e logjikës së ‘shumë botëve’ është se ka universe në të cilat dinozaurët mbijetuan dhe njerëzit mbetën si minj; universe në të cilat çdo javë e fiton lotarinë shtetërore; universe në të cilat Wall Street-i nuk ekziston dhe burimet globale ndahen në mënyrë të barabartë”. Dhe, me sa duket, universet në të cilat Peter Parker ende duket si Tobey Maguire e jo si Tom Holland.

Punimi i Everettit, vazhdon Byrne, “u hodh poshtë nga shumica e instituteve të fizikës”, kështu që kaloi në hulumtimin e operacioneve ushtarake.

Por, nëse shkencëtarët nuk ishin të bindur me vizionin e Everettit, autorët e fantashkencës u frymëzuan prej tij. Njëri prej tyre ishte Michael Moorcock nga Britania e Madhe, i cili solli termin “multivers” në kulturën popullore nëpërmjet romanit “The Sundered Wolrds” të vitit 1963. “Ishte ide në ajër, siç janë shumica e tyre”, ka thënë Moorcock, “dhe hasa në një referencë në revistën ‘New Scientist’ (një nga miqtë e mi më të mirë atëherë ishte redaktor )… ose miqtë fizikanë më folën për të. Ajo që ndodh është se ju i imagjinoni këto gjëra në kontekstin e letërsisë, ndërsa fizikanët dhe matematikanët i imagjinojnë ato në aspektin shkencor”.

Autorët i imagjinonin këto gjëra edhe në kontekstin e stripave. Në vitin 1940, DC nisi ta publikonte strupin “The Flash”, një superhero i shpejtë emri i vërtetë i të cilit ishte Jay Garrick. Në vitin 1951, seria e këtyre stripave u pezullua dhe kur personazhi u “ringjallë” në vitin 1956, iu dha kostumi i ri dhe alter egoja e re, Barry Allen. Ky Flash i ri madje u shfaq duke e lexuar një strip për paraardhësin e vet, duke vërtetuar kështu se, sa i përket Allenit, Garricku nuk ishte gjë tjetër veçse një personazh imagjinar, megjithëse një personazh imagjinar me të cilin kishte shumë të përbashkëta. Më pas, në një histori të botuar në vitin 1961, Alleni u fut në një realitet tjetër ku ishte ballë për ballë me Garrickun. Flashi aktual (Allen) jetonte në Earth-One, ndërsa i vjetri (Garrick) në Earth-Two, bashkë me të gjithë superheronjtë e tjerë nga e ashtuquajtura “Epoka e Artë” e DC-së e viteve 1930 dhe 1940.

Lexuesit e pëlqyen këtë gjë dhe DC botonte stripe me ekipe nga Epokën e Artë dhe nga Epoka e Argjendtë e Ligës së Drejtësisë të Amerikës. Më pas, në vitin 1964, një nga redaktorët e DC-së, Julius Schwartz, pati një ide. Nëse janë dy Toka, arsyetoi ai, pse të mos jetë një të tretë, një univers ku superheronjtë ishin superkeqbërës dhe ku Liga e Drejtësisë e Amerikës ishte Sindikata e Krimeve të Amerikës? Kështu, Earth-Thee iu bashkua lojës.

Multiversi i DC-së vazhdoi të rritej, meqë autorët e përdorën konceptin për të sjellë personazhe tjera të kompanive tjera që DC i kishte blerë, për të rrëfyer histori që nuk përshtaten me Earth-One. Kështu, multiversi u bë aq i famshëm saqë kompania e publikoi një mini-seri me 12 numra në 1985, të quajtur “Crisis on Infinite Earths” në të cilën çdo realitet u fshi, përveç njërit. Por, kjo nuk zgjati shumë, derisa më 2014 dhe 2015 u krijua mini-seria e re e shkruar nga Grant Morrison, “The Multiversity”, që e përfshinte një hartë të multiverseve të DC-së dhe një udhëzues për 52 universe. “Çdo botë paralele i ka historitë dhe personazhet e veta të reja dhe secila në thelb mund të formojë bazën për një seri të tërë stripash të rinj”, ka thënë Morrison

Koncepti mori hov edhe në prozën artistike. Romani “The Dark Tower” i Stephen Kingut sillet rreth një multiversi, përfshirë “All World”, “Prime Earth” dhe botën ku Kingu e shkruan “The Dark Tower”. Por, në përgjithësi, ideja ka qenë shumë e shtrenjtë dhe shumë e ndërlikuar për kinemanë. Kështu, shumica e filmave që kërcenin në dimensione tjera – si “Back to the Future” apo “Sliding Doors” – kufizohen në disa universe të caktuara.

Duke filluar me filmin “Iron Man” më 2008, të gjithë filmat e Marvel-it janë vendosur në të njëjtin “univers që bashkërisht përdoret “, ashtu siç kanë qenë gjithmonë të gjitha stripat e kompanisë. Hulku mund të shfaqet në një film “Iron Man”, Thori mund të shfaqet në ndonjë film “Captain America” dhe … “Avengers” mblidhen.

Deri tash, universi që bashkërisht përdoret ishte i rrallë në kinema, por seria Marvel Cinematic Universe ka qenë sukses i madh. Publiku është i lumtur kur ngatërrohet në rrjetën e rrëfimeve të ndërlidhura. Kështu, nëse një korporatë mund të marrë të drejtat për ekranizim të Batmanit, Supermanit ose Spider-Manit, mund t’i emocionojë adhuruesit duke i futur në të njëjtin film. Kjo do të thotë se universi i përbashkët mund të përparojë në multivers. Ndaj, personazhet e njohura nga universet imagjinare të filmave “Harry Potter” dhe “The Matrix” mund të ftohen në filmin “The Lego Batman Moview”.

Filmat me multiverse i kujtjojnë lojërat dhe bisedat tona të fëmijërisë, në të cilat ne (ose gjigantët mes nesh, gjithsesi) mendonim nëse Han Solo mund të dilte të shfaqej te seria “Indiana Jones”. Ku ka mbetur për të shkuar? Kjo sot mund të jetë përgjigje ndaj ndjenjës aq shpesh të shprehur në mediat sociale, se realiteti ynë është absurd dhe distopian dhe se duhet të ketë një kronologji më të mirë diku. Mund të jetë gjithashtu përgjigje ndaj mbingarkesës së informacionit të internetit dhe ndjenjës se universet e pallogaritshme po konkurrojnë për vëmendjen tonë sa herë që ne kyçemi. Ky sigurisht ishte një nga mendimet që e krijoi filmin “Everything Everywhere All at Once”. “Donim që filmi të lidhej me atë që është si të lëvizësh me maus në një sasi të pafundme gjërash”, tha Daniel Scheiner, “që është diçka që të gjithë e bëjmë”.

Sidoqoftë, se si kanë vepruar stripat, ka ende botë për të hulumtuar. Kështu që mund të ndodhë që kompania Disney (që është pronare e superheronjëve të Marvelit) të bashkëpunojë me kompaninë Warner Bros (pronare e superheronjëve të DC-së) dhe personazhet e Marvelit si Doctor Strange, Hulk apo Spider-Man të lidhen me Batmanin e Supermanin e DC-së. Nëse nuk ndodhë në këtë univers, do të ndodhë në tjetrin!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shaip Kamberi ka shkruar në Facebook pasi ka fituar mandatin…