Kinolli: S’e votojmë rrëzimin e Qeverisë Haradinaj
Albert Kinolli, deputet nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK), pjesë e Grupit 6 Plus në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se Qeverisë Haradinaj duhet dhënë rast.
“Qeveria Haradinaj është qeveri e guximshme që mori disa vendime që asnjë qeveri deri më tani s’i ka marrë. Shumica kanë menduar se ne s’do të mundemi të formojmë ushtrinë pa votat e pakicave. Ka pasur reagime të shumta për taksën. Edhe vendimi i Shipitullës, që erdhi në fillim të mandatit të Qeverisë Haradinaj… mendoj se duhet t’i jepet rasti kësaj qeverie”, ka deklaruar ai në Interaktiv të “KTV”-së.
Ai tha se nuk do të japin votat e tyre për rrëzimin e qeverisë Haradinaj.
“Kam pasur kontakt nga disa kolegë të mi nga opozita, dhe ju kam thënë, ‘urdhëroni, rrëzojeni qeverinë nëse i keni votat’, por jo me votat tona. Por, edhe nëse bie qeveria, ne prapë jemi në qeveri”, ka deklaruar Kinolli, duke potencuar se asnjë subjekt i madh nuk është gati të hyjë në zgjedhje parlamentare derisa t’i kryejnë zgjedhjet e brendshme partiake.