Kiqina: Pres të shënoj sa më shumë gola me fanellën e Llapit
Fituesit e Kupës së Kosovës janë duke vazhduar fazën përgatitore para fillimit të edicionit 2022/23. Në një intervistë për “Olle”, sulmuesi i transferuar këtë vit nga Feronikeli te Llapi shpreh optimizëm se ky sezon do të jetë i suksesshëm për llapjanët.
Sokol Kiqina ishte transferimi i parë në merkaton verore për Llapin, më pas lista ishte e gjatë për skuadrën e Tahir Batatinës e cila transferoi edhe Albion Kurtaj, Gerhard Progni, Fernando Augusto, Ardi Qorri, Amrush Bujupi, Andri Stafa, Robson Da Silva, Alban Shabani, Trimror Selimi. Rreth fazës përgatitore, atmosferës brenda dyerve të Zahir Pajazitit dhe pritshmërive në aspektin ekipor dhe personal, flet Kiqina, i cili premton maksimumin në edicionin i cili po vjen.
“Faza përgatitore me Llapin është duke shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme, me shumë intensitet të lartë, duke përfunduar të gjitha seancat stërvitore ashtu siç kërkohet nga stafi i trajnerëve, normalisht se nga dita e parë që kam ardhur e deri më tani, atmosfera është e mrekullueshme”, ka thënë fillimisht Kiqina. Rreth pritshmërive për edicionin 2022/23, Kiqina shtoi se e gjithë skuadra është e motivuar për fillimin e garave dhe të arrijnë objektivin që ka vendosur klubi.
“Dua që sa më shumë të shënoj gola me fanellën e Llapit dhe t’i ndihmoj sa më shumë skuadrës që ta arrijë objektivin të cilin e ka vendosur klubi, dhe në fund bashkë me legjendat t’i festojmë të gjitha fitoret në elitën e futbollit vendor”, ka shtuar Kiqina.