Kirurgjia Maksillofaciale e QKUK-së me numër rekord të operacioneve

02 nëntor 2018 | 10:48

Klinika e Kirurgjisë Maksillofaciale në QKUK, ka arritur të rrisë dukshëm numrin e operacioneve dhe shërbimeve që ofrohen për pacientë.

Shtimi i vëllimit të punës në këtë klinikë, ka bërë që gjatë muajin tetor të ketë numër rekord të pacientëve të operuar deri më tani.

“Sipas statistikave nga kjo klinikë, në muajin tetor ka pasur 152 operacione, e që paraqet numrin më të madh të operacioneve të realizuara gjatë një muaji. Kjo punë është arritur nga ekipi i mjekëve nga kjo klinikë e me përkrahje dhe nga anesteziologët e Klinikës së Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv”, është thënë në komunikatën e QKUK-së.

Në komunikatë thuhet se si rezultat i punës së palodhshme të klinikës, momentalisht nuk ka listë të pacientëve që janë në pritje.

“Kjo klinikë trajton lëndimet e kockave dhe indeve të buta (aksidentet e komunikacionit, rrëzimet dhe lëndimet aksidentale, infeksionet, tumoret beninje dhe malinje të lëkurës, të kockave, indeve të buta të sistemit orofacial). Po ashtu ofrohet  kirurgjia paraprotetikore, deformimet e lindura dhe të fituara të fytyrës dhe nofullave, buzës dhe qiellzës së çarë, sëmundjeve të gjëndrave të pështymës dhe kirurgjisë estetike të fytyrës ku veçanërisht duhet të veçohet kirurgjia ortognatike”, theksohet në komunikatën e QKUK-së.

Klinika e Kirurgjisë Maksillofaciale është themeluar më 21 mars të vitit 1983 dhe konsiderohet si klinika e vetme që ofron shërbim specialistik brenda 24 orëve në Kosovë.

“Ambulanca specialistike funksionon në kuadër të klinikës dhe arrin t’i trajtojë 10.000 pacientë gjatë vitit. Në klinikë ndodhen 32 shtretër ku gjatë vitit përafërsisht hospitalizohen 700 pacientë. Operohen rreth 1100 raste,  me anestezion lokal apo të përgjithshëm”, thuhet më tutje në komunikatën e QKUK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kancelarja e Gjermanisë, Anglea Merkel, ia ka kthyer letrën kryetarit…