Kirurgjia Torakale, me vetëm një sallë të operacionit
Klinika e Kirurgjisë Torakale tash e sa kohë po vazhdon të operojë me vetëm një sallë të operacionit, dhe si e tillë pacientët detyrohen të presin për ta kryer një intervenim kirurgjik, raporton Ekonomia Online.
Por sipas drejtorit të kësaj Klinike, Nazmi Kolgeci, rastet e pritjes nuk janë të rënda. Sipas tij, pacientët me kancer nuk kanë listë të pritjes, teksa thotë se maksimumi për ta është 4 javë.
“Si në çdo klinikë, edhe klinika jonë ka pasur probleme dhe brenda mundësive jemi munduar me e zgjidh aq sa kemi pasur mundësi. Si vit, ne e kemi pas një numër goxha të madh të operacioneve, por Klinika e Kirurgjisë Torakale e disponon vetëm një sallë të operacionit dhe jemi qendra e vetme klinike që e përfaqëson krejt Kosovën, dhe duke e pas parasysh se e kemi vetëm një sallë të operacionit, atëherë kemi edhe numër të madh të operacioneve që presin për operacion. Por kryesisht janë operacione që mund të pritet, ndërsa pacientët me kancer, atëherë atyre iu kemi dhënë prioritet dhe zakonisht lista e pritjes për këta pacientë me kancer është shumë e vogël”, u shpreh Kolgeci.
Gjatë vitit 2022, rreth 700 operacione janë kryer nga kjo Klinikë, ndërsa afër 500 intervenime janë kryer për drenazhim torakal.
“Brenda vitit janë kryer afër 700 operacione por duhet pasur parasysh se janë kryer edhe biopsi. Përndryshe kemi pasur numër të madh të drenazheve torakale që janë rreth 495 intervenime, që është intervenim goxha i madh. Numri i pacientëve që kanë qenë këtu, është rreth 800 pacientë. Kirurgjia Torakale, përveç që merret me patologji të kraharorit plus gjirit, e kemi edhe traumën, që është mjaft sfidë edhe për neve. Pra të gjitha rastet me traumë, aksidente me komunikacion, therje e plagosje, që si kirurg i kryejmë në Klinikën e Emergjente”, u shpreh Kolgeci.
Ndonëse në shumë Klinika mungon stafi shëndetësor, Klinika Torakale nuk e ka këtë problem, pasi aty janë hiç më pak se 13 mjekë. Synim i Kolgecit është që vitin e ardhshëm të hapin edhe një sallë të dytë të operacionit.
“Numri i mjekëve është i mjaftueshëm për Kirurgjinë Torakale, jemi 13 mjekë, pra kemi mjaftueshëm mjekë, ndërsa për infermierë mendoj se duhet me angazhu edhe të tjerë, për shkak se Kirurgjia është e tillë dhe nevojitet një përkujdesje më të madhe. Ne e kemi bërë një plan për vitin e ardhshëm, që është i detajitizuar dhe kemi planifikuar në aparatura të reja, por që më e rëndësishme është hapja e sallës së dytë, që do të ishte një ndihmesë për ne por edhe për qytetarët”, u shpreh Kolgeci për EO.