Kirurgu që jeton në SHBA pritet të jetë ministri i ri i Shëndetësisë
Sot pritet të bëhet emërimi i ministrit të ri të Shëndetësisë.
Sipas burimeve të Klan Kosovës brenda Qeverisë, ai pritet të jetë kirurgu shqiptar Rifat Latifi që vepron dhe jeton në SHBA.
Klankosova.tv e ka kontaktuar mbrëmë Latifin, i cili as nuk e mohoi, as nuk e pohoi.
“S’kam koment”, tha shkurt ai.
Latifi është shef i Kirurgjisë së Përgjithshme në Qendrën Mjekësore Westchester në New York, profesor në Universitetin e Arizonës, anëtar i Kolegjit Amerikan të Kirurgëve dhe Kolegjit Ndërkombëtar të Kirurgëve, kryetar themelues i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, që nga dhjetori i vitit 2018.
Në vitin 2009, Latifi ishte emëruar këshilltar për shëndetësi nga kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi.
Ndërkaq, në mesin e emrave që u përfolën për këtë pozitë është edhe kardiologu Ramadan Jashari, i cili s’ka pranuar meqë jeton në Belgjikë.