Kirurgu nga Beogradi licencohet për të operuar në Gjakovë
Shoqata e Kirurgëve të Përgjithshëm dhe Abdominale, me anë të një komunikate për medie ka reaguar lidhur me qasjen jo të matur të institucioneve, sipas tyre me prapavi denigrues, shantazhuse, kërcënuese dhe njëanshmëri e disa medieve në rastin e Dr. Rifat Bajramit dhe Dr. Enver Fekaj.
Ky reagim vjen po ashtu lidhur me licencimin e mjekut Nenad Ivončevič nga Beogradi për operim të pacientit në spitalin e Gjakovës. “Njëherësh reagojmë ashpër ndaj licencimit të mjekut Nenad Ivončevič nga Beogradi për operim të pacientit në spitalin e Gjakovës. Reagimi vjen për shkak të licencimi të mjekut nga Beogradi, për gjoja se operacione të tilla si reseksioni i lukthit nuk realizohet në Kosovë nga kirurget kosovar. Sa për informatë operacionet e tilla të lukthit në Kirurgjinë Abdominale në nivelin sekondar dhe terciar realizohen me sukses në mënyrë rutinore në nivel vendi”, është thënë në komunikatë.
Sipas kësaj komunikate, nëse stafi kirurgjik në Spitalin Kirurgjik të Gjakovës, ka pasur nevojë për përkrahje profesionale për këtë lloje operacioni, u është ofruar ndihmë. “Ne si shoqatë e kirurgëve të përgjithshëm dhe abdominal kemi qenë dhe jemi të gatshëm edhe në të ardhmen t’ ju dalim në ndihmë si staf kirurgjik. Andaj arsyetimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Bordit për licencim, se operimi i tillë i lukthit nuk mund të realizohet në Kosovë, është i pavërtetë dhe denigrues për Shoqatën e Kirurgëve të Përgjithshëm dhe Abdominale të Kosovës dhe poashtu denigrues për shëndetësinë kosovare në përgjithësi”, thuhet në reagim.