
KISHA E LLAPUSHNIKUT, SIMBOL I VULLNETIT TË LIRË, HARMONISË DHE VLERAVE PERËNDIMORE TË SHOQËRISË SONË
Ismail Syla
Me mikun tim, Arben Komani, mik i krijuar përmes emrit të vëllait tim tashmë të ndjerë, Gani Sylaj, sot vizituam kishën e Llapushnikut. Dera e oborrit qe e hapur. Dera e kishës po ashtu. Hymë brenda. Në bodrumin – bibliotekë të kishës lëshuam një zë. “A ka njeri këtu?”. U përgjigj Ismeti, i cili qëndronte para një kompjutori, në një ambient të ftohtë, me një kalorifer afër këmbëve.
1.
Kisha e Shën Abrahamit në një kodër të Llapushnikut është shprehja më e mirë e lirisë fetare, shpirtit tolerant dhe emancipimit kulturor të banorëve të kësaj rrethine.
Kjo kishë dhe ky vullnet erdhi si manifestim i natyrshëm, spontan i qytetarëve të lirë dhe krenarë të Llapushnikut, që me dekada e dekada e mbajtën të ndrydhur identitetin burimor fetar. Vetëm në Kosovën e çliruar, në Kosovën e lirë kriptokatolicizmi i një pjese të banorëve të Llapushnikut “u çlirua” dhe doli në shesh. Mrekullia e kësaj shfaqjeje nuk krijoi asnjë konlikt, asnjë incident, asnjë keqkuptim. Kështu u shpërfaq shpirti i tolerancës dhe harmonisë fetare, që në traditën e civilizimit shqiptar ka funksionur shekuj me radhë.
Kisha e Llapushnikut gjeti mbështetje të gjerë. Edhe me koston e dëmit elektoral, thotë Ismet, tash Marini, njëri nga idhtarët e moderuar të themelimit, ndërtimit dhe institucionalizimit të kësaj kishe.
Ismeti i përket gardës së arsimtarëve patriotë dhe të emancipuar të kësaj rrethine. Ishte në krye të demonstratave të vitit 1981 në Drenas. Ismet është ndër të burgosurit më të fortë dhe më të qëndrueshëm, më të pathyeshëm, përkundër torturimi mizor që iu bë pas prillit 1981. Gjatë luftës, në vitet 1998/99 qe reporter lufte. I kthjelltë dhe i guximshëm. Pas luftës nuk vrapoi as për poste të larta as për pasurim të pamerituar. Bëri jetë gazetari lokal dhe mbijetoi me dinjitet deri në pensionim.
Kur Ismeti ndërmori vendimin për t’u kthyer në rrënjët e lashta të krishtera, ky veprim nuk më pengoi fare. Ai sot e atë ditë është mirënjohës për liderët nacionalë që dolën nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, konkretisht për z. Hashim Thaçi dhe z. Kadri Veseli, pa përkrahjen e të cilëve nuk do të ngrihej objekti i kishës. Edhe autoritetet komunale nuk penguan, përkundrazi, ata kontribuan që gjërat të shkonin sa më mirë, pa trazuar konlikte dhe pa acaruar shpirtëra.
Ismeti, gjegjësisht Marini, emër i dytë i tij, sipas emrit të humanistit Marin Barleti, na bëri disa fotografi me iphonin e tij, brenda dhe jashtë kishës. Në një kafene me emri “Gryka” së bashku me Ismetin dhe Arbenin pimë nga një kafe dhe biseduam tema nga më të ndryshmet.
2.
Gjatë bisedës që kisha zhvilluar me Arbenin qemë pajtuar për të gjitha pikat. Më pëlqen qendrimi i tij i moderuar. “Liria e besimit për qytetarët e Drenicës, fillimisht e banorëve të Llapushnikut si dhe ndërtimi i kësaj Kishe derivon si vlerë e dalë nga lufta për liri dhe çlirim me gjak dhe shumë sakrifica”, thotë Arbeni; i cili sot erdhi në Llapushnik, duke ndërprerë punën në vreshtin e tij në Zhub të Gjakovës.
“Kujtimet, ruajtja e kulturës dhe besimit të krishterë nga shumë familje gjeti mbështetje të shfaqet lirshëm vetëm në Kosovën e lirë. Kjo mbështetje u dha duke pasur parasysh faktet si: e drejta themelore e besimit për qytetarët e barabartë në shtetin më të ri, pavarësisht se sa shumë apo pak të jenë ata. Pikërishtë këtu qëndron vizioni i qartë për ndërtimin e një shoqërie demokratike, të lirë dhe në frymën e vlerave evropiane”, thotë Arbeni.
3.
Gjatë shkëmbimit të ideve jemi në pajtueshëri të plotë me Arbenin për rolin e kësaj kishe, e cila duhet të jetë në shërbim të idesë themelore të lirisë fetare dhe asnjëherë të mos shpërdorohet dhe abuzohet me të.
Kisha e Llapushnikut nuk duhet të bëhet një institucion fetar ku individë të caktuar, pavarësisht prej besimeve që iu takojnë, qofshin ata laikë apo klerikë, që përmes gjuhës përçarëse, tendencioze dhe intimiduese të krijojnë një frymë polarizuese brenda shoqërisë sonë. Një frymë e tillë është në shpërputhje të plotë me qëllimin fillestar që ishte mbështetja e parezervë për gjithë ata që mezi prisnin që një ditë të kenë lirinë e plotë për të ushtruar të drejtën e tyre kulturore dhe fetare. Është në shpërputhje të plotë me vizionin e liderëve institucionalë dhe intelektualë si dhe qasjes së tyre racionale, të urtë dhe me guxim, që përkrahën kishin për të sendërtuar ëndërrën e cilitdo qytetarë për t’iu kthyer rrënjëve kulturore dhe fetare të parëve të tyre.
Diskursi i sharjeve, fyerjeve, përdorimi i gjuhës agresive duke bërë thirrje për kthim në rrënjët e të parëve, nuk janë pjesë e kulturës që buron nga besimi i krishterë (katolik) dhe tradita e mirë e besimtarëve katolikë. Andaj është e papranueshme që nga cilado Kishë e posaçërisht nga Kisha e Llapushnikut të proklamohet kauza e kthimit në fenë e të parëve përmes gjuhës me tendencë polarizuese, sepse ndër pasojat tjera, degradon synimin për të jetësuar ëndërrën e tyre të përcaktimit të lirë.
Janë shumë të dëmshme qëndrimet misionare që në emër të kthimit tek rrënjët e të parëve të aktivizohet një gjuhë larguese, përkundër angazhimit të mirëfilltë dhe normal. Kisha e Llapushnikut është dhe do të jetë simbol i lirisë, vullnetit, harmonisë, dashurisë dhe përulësisë, e jo i ndjelljes së frikës, tensionit dhe paragjykimeve dhe ambientit polarizuese.
Kjo qasje nuk duhet të gjejë mbështetjen e askujt.