Kisha e saksonëve në Mitrovicë, para shkatërrimit

02 korrik 2021 | 11:11

Ndodhja e një kishe katolike mesjetare sase (saksone) në Kosovë, për shumë qytetarë të Kosovës, është pak e imagjinueshme. T’i thuash dikujt se në shekullin XIII, para më shumë se shtatëqind vjetëve, në Kosovë kishte gjermanë (saksonë) që ishin minatorë të zotë dhe kishin ardhur të punonin dhe të jetonin këtu, veçmas në pjesët përskaj minierave, është si t’u lexosh ndonjë tregim fantastik. Por, kisha saksone është aty, për historinë e së cilës historianët kanë të dhëna të mjaftueshme dhe të argumentueshme. Duke dëgjuar historianët dhe lexuar studimet e tyre, gjejmë të dhëna se ata (sasët/saksonët) ishin njohës të mirëfilltë të xeheve dhe dinin si t’i nxirrnin ato si pak popuj gjatë mesjetës së vonë. Ata ishin të vendosur në fshatra, qytete dhe kështjella fare pranë minierave. Gjurmët e tyre në Kosovë i gjejmë në masë më të madhe në lokalitetet e Mitrovicës dhe të Novobërdës, në të cilat qenë zbuluar minierat që nga periudha mesjetare.

Kisha e këtyre minatorëve gjermanë saksonë është bazilika “Shën Pjetri” në Stantërg të Mitrovicës, e cila njihet ndryshe edhe si kisha e sasëve/saksonëve. Arkitektura e saj e ndërtimit ka stil gotik. Atë e vërejmë në muret e saj, në gurët dhe shenjat e tjera që i kanë mbetur pa u shkatërruar dhe humbur. Kishës shtatëqindvjeçare “Shën Pjetri” i ka mbetur në këmbë vetëm muri ballor dhe disa gurë dhe themelet anash, ndërsa pjesa tjetër e bazilikës nuk ka shpëtuar. Prandaj, që të ruhet kështu si është, që të mos e tretë koha edhe këtë pak trashëgimi që ka mbetur nga kjo kishë, ka nevojë për konservim të saj. Aty duhet të intervenojë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), konkretisht Departamenti i Trashëgimisë Kulturore, që bashkërisht me punonjësit përgjegjës të saj t’i marrin hapat për konservimin e saj. Së këndejmi, për gjendjen e saj duhet të përkujdesjen edhe institucionet lokale të Komunës së Mitrovicës, edhe ndonjë organizatë e huaj me veprimtari në Kosovë.

Gjatë hulumtimit që i kemi bërë kësaj kishe kemi parë gurë që lehtësisht shkëputen nga objekti. Kështu që, për të mos ndodhur shkatërrimi i saj edhe më tutje, duhet të intervenohet që të ruhet së paku forma e mbetur. Po ashtu, duhet të bëhen hulumtime të thelluara e të specializuara në bazamentet e saj për ta shikuar mundësinë se çfarë gjejmë në oborrin e saj, ndonjë dëshmi tjetër shtesë. Një rekomandim tjetër që do t’ua jepnim MKRS-së dhe institucioneve të tjera përgjegjëse për këtë objekt është sinjalizimi i rrugës deri te kisha. Nuk ka shenja në rrugë që e orientojnë një turist të mundshëm kulturor për ta gjetur atë sa më lehtë e sa më shpejt.

Kisha e saksonëve në Stantërg të Mitrovicës është përmendur për herë të parë në fillim të shekullit XIV, konkretisht në vitin 1303, kur Papa Benedikti XI i dërgon një letër famullisë katolike në Trepçë. Në të, përpos kjo kishë, përmendet për herë të parë edhe emri i Trepçës. Nga kjo e dhënë, nga kjo letër e Papa Benediktit XI, mund të themi se kjo kishë do të jetë ndërtuar qysh në shekullin XIII. Pra, si monument e si objekt kulture, ka një jetëgjatësi gati shtatëqindvjeçare dhe një gjë e tillë përbën një vlerë të qenësishme për kulturën dhe trashëgiminë tonë.

Prania e një kishe katolike në një periudhë të mesjetës së vonë thotë shumë jo vetëm për trashëgiminë kulturore të Kosovës, por edhe për historinë e saj, veçmas për historinë e zhvillimit të religjionit dhe religjioneve në vendin tonë. Ka të dhëna se kisha “Shën Pjetri” në Stantërg ishte funksionale deri në shekullin XVI dhe gjerë në këtë kohë kryheshin rite dhe ishte në shërbim të besimtarëve katolikë, veçmas saksonëve që punonin për nxjerrjen e xeheve në minierën e Trepçës. Por, në shekujt XVI dhe XVII shënohet edhe fundi i pranisë së saksonëve (sasëve) në Kosovë.

Saksonia dhe saksonët për herë të parë përmendën nga historiani Ptolemeu rreth vitit 150 para erës sonë. Ata janë një degëzim i fiseve gjermane që jetonin rreth lumit të Elbës në Gjermani. Një pjesë e madhe e tyre qëndroi në Gjermani, një pjesë emigroi në ujdhesën britanike (anglo-saksonët) dhe në Evropën Lindore dhe juglindore. Sipas historianëve, saksonët ishin të zotë në mjeshtëri, punë, zbulime të kohës, por ishin edhe njerëz me shpirt luftarak, pasi që vetë emri i tyre “sakson” do të thotë njerëz të shpatës, bijë të shpatës.

Bazilika “Shën Pjetri” apo kisha e saksonëve (sasëve) në Stantërg të Mitrovicës ka një pamje piktoreske për shkak të rrethimit me male të cilat i shtojnë vlerën turistike. Nëse investohet dhe shënjohet si zonë me rëndësi turistike, do të jetë një vend i këndshëm dhe ekzotik për t’u vizituar nga turistët, veçmas nga turistët që kanë interesim për historinë dhe për religjionin. Në këtë kontekst, për këtë objekt të vjetër fetar duhet të informohen shtetasit gjermanë, veçmas ata me shkollim të lartë dhe punonjësit e institucioneve universitare dhe kërkimore, edhe gjermanët me prirje të larta religjioze, të cilët mund të jenë vizitorë potencialë dhe promovues të kësaj kishe mjaft të veçantë që, mbase, edhe do të mund të ndihmonin materialisht për t’i mbajtur ata gurë të ngrehur edhe më tutje.

Kisha e saksonëve në Stantërg ka statusin e monumentit të kulturës dhe është në listën e trashëgimisë kulturore. Pra, ligjërisht është e mbrojtur që nga viti 2011, por duhet të bëhet më shumë për të e më shumë punë përreth saj. Në bazë të madhësisë së saj, perimetrit të saj të mbetur, duket se ka qenë një kishë e madhe, që do të ketë qenë shtëpi e lutjeve për shumë besimtarë katolikë, një pjesë e të cilëve mund të kenë qenë edhe shqiptarë. Andaj, kujdesi ynë për të duhet të jetë më i madh dhe më dinjitoz për një objekt kulti që e nderon trashëgiminë dhe të kaluarën tonë.

 

(Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit kulturor “Observimi i traditës”, realizuar nga Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi”, Prishtinë. Fusnotat në artikull i ka hequr redaksia).

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova ka pasuri të shumta. Ka tokë flori. Ka vende…