Kisha Katolike në Kosovë organizon meshë dhe mbledhje të hollash për të prekurit e tërmetit në Shqipëri

27 nëntor 2019 | 11:41

Kisha Katolike në Kosovë përmes një letre të lëshuar nga vikari gjeneral Don Shan Zefi, dërguar të gjithë meshtarëve, rregulltarëve e rregulltareve, dhe gjithë besimtarëve, i fton që të kremtohet mesha e shenjtë të dielën e ardhshme, më 1 dhjetor, për viktimat e tërmetit e familjarët e tyre, dhe kërkon që lëmosha e mbledhur t’i dedikohet këtij qëllimi.

Letra e plotë e lëshuar nga Vikari Gjeneral Don Shan Zefi:

Të dashur meshtarë,

rregulltarë e rregulltare,

vëllezër dhe motra në Krishtin,

Tërmeti i mëngjesit të djeshëm (26 nëntor 2019) në zonën e Durrësit dhe të Thumanës në Shqipëri, i cili shkaktoi dëme të mëdha materiale, la shumë veta të pastrehë, të lënduar e të vdekur, ka prek thellë zemrat e të gjithëve.

Pak orë pas këtij tërmeti vdekjeprurës, Kisha jonë menjëherë ka shprehur afërsinë dhe solidaritetin e saj dhe është aktivizuar duke e dërguar Caritas Kosova në zonat e prekura me qëllim për të ofruar mbështetje të menjëhershme me ujë, mbuloja, mjete higjienike dhe artikuj ushqimorë.

Përveç kësaj ndihme ndaj vëllezërve dhe motrave tona në Shqipëri, ne duami të shprehim solidaritetin tonë të mëtutjeshëm në lutje dhe mbështetje tjera, që të jemi afër qytetarëve në nevojë.

Prandaj, kërkojmë që në të dielën e parë të Kohës së Ardhjes, të kushtohet në të gjitha kishat tona meshë për viktimat e tërmetit të 26 nëntorit në Shqipëri, lutje për familjarët e tyre, kurse lëmosha e grumbulluar t’i dedikohet këtij qëllimi .

Të vazhdojmë ta kemi në lutjet tona popullin e dashur të Shqipërisë, që Zoti t’i forcojë për të qëndruar në këto çaste sprove, e me shpresë në dashurinë dhe mëshirën e Hyjit, të rimëkëmbet jeta e të gjithëve.

Don Shan Zefi,

Vikar Gjeneral i Ipeshkvisë Prizren-Prishtinë.

 

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, në seancën e jashtëzakonshme të…