Kisha Ortodokse Serbe dhe ideologjia serbomadhe

28 prill 2025 | 08:36

Agim Vinca

(Reagim ndaj një emisioni televiziv në RTSh)

Nuk pajtohem aspak me mendimin se vizita e Papës në Kosovë nuk u bë për shkak se Qeveria e Kosovës “nuk tregoi shenja afrimi me klerin ortodoks”. Kjo është një pikëpamje krejtësisht e gabuar dhe aspak reale. Kisha Ortodokse Serbe është ideologia kryesore e hegjemonizmit serb. Ka qenë dhe vazhdon të jetë. Në Kosovë ajo është shtet më vete: gëzon eksterritorialitet dhe ka pasuri të mëdha, që mbrohen me ligj.

Qeveria e Kosovës, kjo që ishte deri tani, me gjasa që të jetë edhe në të ardhmen fituese e zgjedhjeve, u detyrua ta zbatonte vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës lidhur me pronën shumëhektarëshe (23 ha) të Manastirit të Deçanit, pa dëshirën e saj, sepse e konsideronte të padrejtë atë vendim. E shtyu dy vjet e sa, por u detyrua të “lëshonte pe” për shkak të presionit ndërkombëtar dhe akuzës se “nuk i njeh vendimet e gjyqësorit”. As në kohën e Rankoviqit Manastiri i Deçanit nuk i ka pasur privilegjet që ka sot. Ruhet ditë e natë nga trupat e KFOR-it, kurse fshatarët e fshatrave përreth nuk lejohen t’i punojnë tokat e veta në afërsi të Manastirit! Madje as të kalojnë andejpari jo. Njësoj sillet edhe Patrikana e Pejës, e cila nuk lejoi ndërtimin e rrugës Pejë – Rozhajë, vetëm sepse parashihej të kalonte pranë saj. U desh të devijohej rruga, në mos edhe të hiqej dorë prej projektit.

Kisha Ortodokse Serbe nuk e njeh realitetin e ri të krijuar tash 27 vjet, madje kërkon kthimin e Serbisë në Kosovë dhe deklaron se do ta anatemonte cilëndo qeveri në Beograd që do të guxonte ta njihte pavarësinë e Kosovës, e cila për ta (si për Kishën, ashtu edhe për Qeverinë) është “pjesë e Serbisë”.

Ka edhe shumë fakte të tjera por, hëpërhë, besoj se mjaftojnë edhe këto.

Nuk e di, nuk e kuptoj, se prej nga ideja se Papa Françesku nuk erdhi në vizitë në Kosovë, sepse Qeveria e Kosovës “nuk tregoi shenja afrimi me Kishën Serbe dhe klerin ortodoks”? Selia e Shenjtë besoj i ndërton marrëdhëniet me shtetet varësisht nga qëndrimi që mbajnë ndaj Kishës Katolike dhe katolicizmit si religjion e jo ndaj “simotrës së saj ortodokse”. Për këtë kujdeset Patrikana në Stamboll! Tjetër punë pastaj që më shumë se “motra” këto dy kisha janë rivale. Serbët dhe kroatët kanë pothuajse të njëjtën gjuhë dhe kulturë, por feja i dallon. Përkatësia fetare (pravosllave e të parëve dhe katolike e të dytëve) ka bërë që ata të theren me thika gjatë Luftës së Dytë Botërore e, madje, të zhvillojnë një luftë të përgjakshme edhe në fund të shekullit XX.

E kam ndjekur me shumë simpati veprimtarinë e Papa Françeskut, këtij njeriu që e ruajti thjeshtësinë edhe kur u ngjit në majë të kupolës së shenjtë. Figura e tij do të mbahet mend gjatë, sikurse edhe sjellja e tij atipike si papë në krahasim me pararendësit e vet. Për ne shqiptarët interes të veçantë paraqet vizita e tij në Shqipëri (2014), me ç’rast Ati i Shenjtë pati shprehur ndjeshmërinë e tij ndaj vuajtjeve të shqiptarëve si komb dhe respektin për tolerancën fetare të këtij kombi të lashtë.

Mirëpo, mënjanë modestinë dhe mirësjelljen e shtirur, si njeri dhe intelektual shqiptar nuk mund të kem mirëkuptim për qëndrimin e Selisë së Shenjtë ndaj Kosovës. Kanë kaluar plot 17 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe Vatikani nuk bëri as më të voglin hap për njohjen e saj si shtet, ndërkohë që Italia, por edhe Franca, Britania, Shtetet e Bashkuara etj., e kanë njohur Republikën e Kosovës qysh në vitin 2008.

Në Prishtinë dikur flitej me të madhe se kusht për njohjen e Kosovës nga Vatikani është ndërtimi i Katedrales. Kështu mendonin (ndoshta mendojnë ende) një dorë politikanësh e intelektualësh karrieristë e servilë. Ne e ndërtuam Katedralen në qendër të Prishtinës, duke prishur shkollën, gjimnazin “Xhevdet Doda”, por Vatikani nuk bëri asnjë hap në drejtim të njohjes.

Mosardhja e Papa Françeskut në Prishtinë, në vizitën e përfolur dhe, gjithsesi, edhe të dëshiruar nga ne, por jo edhe të konfirmuar zyrtarisht, lidhet në radhë me moshën e tij të shtyrë dhe gjendjen e rënduar shëndetësore (eventualisht edhe me ndonjë “sekret” kanonik?), e jo me dofarë “afrimesh” a “çafrimesh” të shpifura të Qeverisë së Kosovës me Kishën Serbe.

Nëse doni ta kritikoni Albin Kurtin, zotërinj të medias (dhe jo vetëm ju), gjeni “argumente” të tjera, se ky i “mosafrimit me klerin ortodoks” është krejtësisht absurd dhe joserioz.

Dhe në fund, për ta parë qëndrimin refraktar të Kishës Ortodokse Serbe jo vetëm ndaj autoriteteve të Kosovës, por edhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare, po risjell një shkrim timin të shumë viteve më parë lidhur me këtë temë, të cilin mund ta lexoni më poshtë.

Prishtinë, 25 prill 2025

ANATEMA ANAKRONIKE

Njeriu i parë i Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, peshkopi Artemije, lëshoi këto ditë një letërqarkore, me të cilën i urdhëron të gjithë vartësit e tij që “të ndërpresin çfarëdo komunikimi me përfaqësuesit e pushtetit në Prishtinë, me përfaqësuesit e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe me përfaqësuesit e shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”! Këtë vendim të tij ai e ka marrë, siç del nga kumtesa e publikuar në media për tri arsye:  (1) “për shkak të shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës”;  (2) “për shkak të vendimit të BE-së për të dërguar misionin e saj në Kosovë pa vendimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara” dhe (3) “për shkak të njohjes nga disa shtete të pavarësisë së Kosovës”. Këto janë tri arsyet që e kanë hidhëruar hierarkun e lartë kishtar serb dhe e kanë shtyrë që të lëshojë “fetvanë” e tij qesharake e anakronike. Sipas mendimit të kryepeshkopit Artemije, pra, duhet ndërprerë çdo komunikim me përfaqësuesit e pushtetit legal në Prishtinë, me përfaqësuesit e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe me përfaqësuesit e atyre shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, numri i të cilave po rritet nga dita në ditë! Përse? Sepse, të gjithë ata, sipas tij, janë mëkatarë e heretikë, andaj me ta duhet ndërprerë çdo kontakt e komunikim! “Nuk duhet pasur kurrfarë kontaktesh e as bisedash me ta”; “nuk duhet të pranohen në vizita dhe as nuk duhet përgjigjur ftesave të tyre”, me një fjalë, ata, pra qeveritarët e Prishtinës, misionarët e Evropës dhe shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duhen ekskomunikuar krejtësisht! Amen!

Kjo mënyrë e komunikimit të një hierarku të lartë kishtar, çfarë është peshkopi Artemije, me vartësit e tij, t’i kujton kohët e shkuara, madje shumë të largëta, kurse letër-qarkorja e tij, si me përmbajtjen, ashtu edhe me gjuhën dhe stilin e saj, s’është tjetër veçse një anatemë tipike e kohës së inkuizicionit. “As nuk duhet shkuar tek ata e as nuk duhet pranuar ardhjen e tyre, me asnjë kusht dhe për kurrfarë arsyeje!”. Kjo s’është asgjë tjetër, pos anatemë e pastër, sado që koha e mallkimeve dhe e anatemave ka kaluar moti dhe nuk praktikohet më askund në botë, pos te ajatollahët fanatikë.

Duke e lexuar në shtyp kumtin e zi të peshkopit Artemije, m’u kujtua anatema që shekuj më parë pati lëshuar inkuizicioni famëkeq ndaj filozofit holandez Baruh de Spinoza (1632-1677), me anë të së cilës, filozofi i famshëm, për shkak të ideve të tij liberale dhe të qëndrimit kritik ndaj institucioneve të kohës, përfshirë edhe kishën, shkishërohej dhe mallkohej si më poshtë:

“Le të jetë i mallkuar ditën dhe le të jetë i mallkuar natën. Le të jetë i mallkuar kur shtrihet dhe le të jetë i mallkuar kur ngrihet. Le të jetë i mallkuar kur niset dhe le të jetë i mallkuar kur kthehet… Ju urdhërojmë që askush të mos komunikojë me të as me gojë as me shkrim, askush të mos qëndrojë me të nën një kulm ose katër hapa pranë tij, askush të mos e lexojë veprën të cilën e ka hartuar ai”.

Ngjashmëria ndërmjet anatemës së inkuizicionit mesjetar ndaj filozofit “heretik” dhe kësaj të sotmes të hierarkut kishtar serb drejtuar Kosovës dhe botës, është e madhe dhe s’është aspak e vështirë për t’u vërejtur. Thelbi i njërës dhe i tjetrës, siç mund të shihet qartë, qëndron tek ekskomunikimi si njëra nga format më të rrepta të ndëshkimit. “As mos shkoni tek ata, as mos pranoni të vijnë ata tek ju” – urdhëron peshkopi Artemije. Për kurrfarë arsyeje dhe me kurrfarë çmimi. Është dashur vetëm të thotë edhe: mos lejoni të hanë, të pinë e të marrin frymë, që anatema të ishte totale, tamam në frymën e idealit kristian. Për ata që e thyejnë urdhrin ai parasheh sanksione nga më të rreptat. “Mosrespektimi dhe shkelja e këtij vendimi në çfarëdo forme do të sanksionohet rigorozisht”. Njësoj flisnin ata që e anatemuan Spinozën dikur, që i dogjën në turrë të druve Jan Husin e Xhordano Brunon dhe që e detyruan Galileun t’i mohonte bindjet e veta shkencore, duke shqiptuar në çastin e fundit fjalët proverbiale: “Eppur si muove…”.

Mirëpo, peshkopi Artemije harron se nuk jemi në shekujt XV, XVI a XVII dhe se koha e anatemave ka kaluar përgjithmonë. Mund të thuhet, madje, se në krahasim me pararendësit e tij mesjetarë, ai shkon edhe më larg, sepse nuk anatemon një njeri të vetëm a edhe një grup njerëzish, por popuj, shtete dhe qeveri të tëra. Dhe pse e bën këtë kryepari i Kishës Ortodokse Serbe të Kosovës? Dihet pse! Për shkak të shpalljes, sipas tij, “të njëanshme” të pavarësisë së Kosovës, që është shprehje e vullnetit legjitim të shumicës dërrmuese të popullsisë së këtij vendi, të shprehur më se një herë në mënyrë plebishitare, pra shprehje e vullnetit të njerëzve, të cilët, pavarësisht nga përkatësia fetare e kombëtare, do të duhej të ishin të barabartë para Ligjit dhe Zotit! Shtrohet pyetja: a është peshkopi Artemije njeri i Perëndisë apo instrument i politikës? Dhe ku dallon ai prej Koshtunicës?

Po të sillej si njeri i Zotit dhe i fesë, ashtu siç i takon, shkëlqesia e tij do të duhej të rrezatonte mirësi e dashuri e jo urrejtje e luftënxitje. Ai mund të mos pajtohet me pavarësinë e Kosovës sipas propozimit të emisarit special të OKB-së, Marti Ahtisarit, i cili kishës serbe në Kosovë, në krye të së cilës është ai dhe komunitetit serb në përgjithësi, i garanton të drejta e privilegje që nuk njihen askund në botë, por detyrë e tij si “bari” nuk është ndërsimi i “kopesë”, por qetësimi i saj. Peshkopi Artemije do të duhej të angazhohej për paqe, tolerancë, bashkëpunim e mirëkuptim e jo të nxisë urrejtjen dhe mosdurimin mes popujve e njerëzve. Është për të ardhur keq që një njeri i devotshëm, prej të cilit priten mesazhe të urta e humane, lëshon anatema të mykura e anakronike, të cilat e bëjnë qesharak para botës atë si hierark të lartë kishtar, institucionin që përfaqëson  dhe në emër të të cilit flet, si dhe politikën së cilës i shërben.

Nuk kanë faj ata që thonë se Kisha Ortodokse Serbe (KOS) ka qenë gjithmonë, krahas Akademisë Serbe të Shkencave e Arteve dhe Shoqatës së Shkrimtarëve të Serbisë, të njohur, sipas selisë së saj, si “Francuska 7”, petale e “lules tripetalëshe serbe me aromë vdekjeprurëse”. Sjellja e peshkopit Artemije, sikundër edhe e eprorit të tij, kryepeshkopit Pavle dhe krerëve të tjerë të kishës serbe, e konfirmon plotësisht vërtetësinë e kësaj metafore morbide.

Kur po e kryqëzonin në Kalvar, Jezu Krishti pati thënë: “Fali, o zot, se nuk dinë se ç’bëjnë!”. Ç’të thuhet për njeriun, i cili, sipas logjikës së gjërave, do të duhej të ishte dishepull i Krishtit, peshkopin serb Artemije Radosavleviq: di apo s’di se ç’bën?!

Botuar në gazetat “Koha ditore”, “Kosova sot” dhe “Epoka e re”, më 7 mars 2008, si dhe në librin “Arti i reagimit” (2011).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një letër e shkruar nga një pasagjer i Titanikut disa…