Kishat ortodokse serbe në Kosovë/ Strehimore terroristësh dhe depo armësh!
Hasan Mujaj
Analisti Dushan Janjiqi theksoi “… koha do të dëshmojë se Rusia është e përfshirë me Milan Radoiçiqin dhe të tjerë në këtë incident…” Më se i vërtetë ky konstatim.
E pabesueshme, por e vërtetë. U dëshmua në vepër. Pushteti autarkik e diktatorial i Aleksandër Vuçiqit ka shtrirje pushteti edhe në objektet fetare serbe. Ai e ka futur politikën për Serbinë e madhe edhe në kishat ortodokse serbe në Kosovë. Lind dyshimi se edhe klerikët serbë e kanë ndryshuar misionin e tyre të religjionit: në vend të predikimeve liturgjike për besimin e paqen, për etikën e humanizmin, për marrëdhëniet miqësore midis nacionaliteteve të ndryshme dhe me fqinjët etj., u marrkan me politikë, me strehim terroristësh e armatim brenda kishave!
Pushteti i Vuçiqit, deri të dielën e njëzet e katër shtatorit, nuk e pranonte të vërtetën se kishat serbe, sipas urdhrit të tij, janë përplot me armatim ushtarak të prodhimit serb. Madje ai u shpreh shumë ashpër ndaj deputetes britanike Alicia Kearns vetëm pse e bëri publike të vërtetën për bartjen e armëve nga qytetet serbe në kishat ortodokse në Kosovë më 4 korrik 2023 në Parlamentin e Britanisë së Madhe. Transporti i armëve ishte bërë me autoambulanca për të mos rënë në sy të opinionit dhe për të ruajtur konspiracionin.
Deputetja tregoi edhe burimin e informimit: nga pjesëmarrësit e KFOR-it britanik që “sapo ishin kthyer në Britani pas zëvendësimit me ushtarë të tjerë.” Informacioni i deputetes britanike u vërtetua me prova: një arsenal armësh të ndryshme ushtarake u gjet në Manastirin e fshatit Banjskë të komunës së Zveçanit ashtu sikundër u verifikuan edhe gënjeshtra e madhe e demagogjia e kryetarit të Serbisë në përmasat botërore!
Për të qenë ironia edhe më e madhe, Vuçiqi tentoi t’i mohojë edhe faktet në konferencën për mediet në Beograd madje, duke e ditur se është me përvojë të gjatë për fjalimet fiktive e improvizuese, e detyroi Petar Petkoviqin ta anulojë konferencën e paralajmëruar paradite dhe, me stilin imperativ e pyetjen retorike, i zënë ngushtë përpara argumenteve, iu drejtua: “Ç’do t’i thuash opinionit?” Megjithëkëtë, ai u përpoq të trillojë diçka pa i përmendur emrat kriminelë e terroristë, porse, për këtë dekonstruktivitet, u kualifikua si karagjoz edhe nga disa analistë të Beogradit, të cilët shtuan se “sulmi i grupit të armatosur serb në Kosovë nuk ishte i papritur, por një ngjarje e paralajmëruar…”
Analisti Dushan Janjiqi theksoi se Vuçiqi këtë sulm e paraqiti “si protestë të njerëzve, të qytetarëve dhe jo të kriminelëve.” Ai e tha edhe këtë: “… koha do të dëshmojë se Rusia është e përfshirë me Milan Radoiçiqin dhe të tjerë në këtë incident…” Më se i vërtetë konstatimi i D. Janjiqit.
Qëndrimi i Vuçiqit se sulmi ndaj policisë së Kosovës u bë nga qytetarët e atjeshëm të mbledhur spontanisht e të detyruar të mbrohen nga “terrori i Kurtit,” u hodh poshtë me fakte edhe nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier. Ambasadori reagoi me të vërtetën: “Grupi i armatosur që sulmoi policinë e Kosovës në veri nuk kishte të bënte me ndonjë grup qytetarësh të mbledhur spontanisht, por ishte grup i trajnuar dhe i organizuar.”
Mendimi imagjinar i Vuçiqit është shitur te disa diplomatë evropianë derisa u vranë tre terroristë të tij për të cilët kryetari serb dha urdhër të shpallet ditë zie në Serbi. Ditë zie për terroristët! Habi e madhe për një kryetar shteti! Por, i është dashur ta bëjë këtë, ngase ata qenë ndër të dërguarit e tij me detyrën për të trupëzuar projektin politik e ushtarak të pushtimit të territorit të Kosovës.
A.Vuçiqi dhe A. Vulini – organizuesit e sulmit
Avokati beogradas Çedomir Stojkoviç shkroi: “ Aleksandër Vuçiq dhe Aleksandër Vulin definitivisht janë organizatorët e sulmit në Kosovë. Ambasadat dhe diplomatët perëndimorë i besuan gënjeshtarit A. Vuçiq…” Ata ndoqën gjurmët e Slobodan Milosheviqit e të Vojislav Sheshelit; ata kopjuan planin aneksues të Vladimir Putinit të vitit 2014 që u zbatua me sukses në Donbas e Krime, por dështoi në Kosovë nga strategjia dhe heroizmi i njësive speciale të policisë së Kosovës, të cilat demaskuan politikën pushtuese të Vuçiqit për Serbinë e madhe. Shërbimi informativ e vëzhgues i armatës serbe, me seli në Batajnicë të Beogradit, ka të dhëna persuasive për përgatitjet superlative taktike dhe të pajisjes me armë moderne të njësive të policisë speciale të Kosovës, andaj s’është befasi madje ka kohë që politika e Beogradit e kërkon tërheqjen e njësive të këtilla nga katër komunat veriore të Kosovës. Lista Serbe, d.m.th. Vuçiqi, këtë tërheqje e vuri kusht kryesor që serbët e atjeshëm të dalin në zgjedhjet komunale.
Vuçiqi, Vulini etj., në bashkërendim sekret me ushtarakët e lartë rusë, u përcaktuan për variantin e pushtimit të territorit të Kosovës me sulmet e grupeve terroriste, të cilat do t’i kualifikonin si protesta të popullit ndesh “presionit” të Prishtinës ndaj serbëve vendës siç provoi t’i emërtonte kryetari i Serbisë.
Gënjeshtrën e madhe të Vuçiqit, një ditë pas fjalimit të tij, e vuri në dritë Radoiçiqi. Ai pranoi publikisht se ishte prijës i grupit të terroristëve dhe se nuk kishte protestë të qytetarëve. Një poet kishte shkruar: “ S’vonon dita gja s’e ndal/ rrena n’fushë ka me dalë.” Prandaj, s’ka dyshim se Beogradi zyrtar është themeli mbi të cilin u ndërtua zhvillimi i pajisjes me armatim, i ekzekutimit dhe i financimit të grupit terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Përveç Vuçiqit dhe Vulinit, në aktin terrorist të njëzet e katër shtatorit, si mentorë, janë të përfshirë edhe: ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Milosh Vuçeviqi dhe shefi i komandës së ushtrisë serbe, Milan Mojsiloviqi. Vuçiqi e thotë përherë: Serbia nuk do ta njohë Kosovën shtet; ajo do ta mbrojë integritetin territorial. Ai duhet ta thotë të vërtetën se Serbia e ka humbur Kosovën me luftën e armatosur dhe e ka nënshkruar kapitullimin. Në realitet Kosovën e kishte marrë me dhunë dhe me shumë viktima pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo do të thotë se Kosova nuk ishte pjesë e integritetit territorial të Serbisë, porse ishte mbajtur kundër vullnetit të qytetarëve të saj nën diktaturën komuniste të ish- Jugosllavisë.
Politika serbe e zbuloi vetë se për ç’arsye e kërkon asociacionin e komunave veriore: për ta formuar një minishtet në shtet, i cili, më pas, me një lloj referendumi falsifikimesh, do t’i bashkohej Serbisë. Kompromisi që e kërkon Vuçiqi përmban: pushtimin-aneksimin e territorit të Kosovës në sipërfaqe prej rreth 17 % sa përfshin shtrirja gjeografike e kësaj krahine të Republikës së Kosovës me katër komunat me shumicën e popullatës serbe.
Ndonëse aventurierët serbë: Vuçiqi, Vulini, Radoiçiqi etj. ndjekin rrugën e Milosheviqit, hëpërhë nuk duhet pritur mundësia e ndonjë invazioni ushtarak serb, sepse ata e dinë mirë se si janë ndarë në luftën me forcat e NATO-s në vitin 1999.
Xhipat e terroristëve me akronimin KFOR !
Kriminelët serbë në krye me terroristin M. Radoiçiqin dhe në prapaskenë me Vuçiqin, i cili Radoiçiqin e quajti “mbrojtës i popullit serb në Kosovë”, sollën armë të ndryshme në kishat serbe edhe me xhipa pa targa, por me akronimin e falsifikuar KFOR që të mos ndalohen nga policia e Kosovës. KFOR-i duhet ta hetojë dhe të kërkojë masë ndëshkimi për këtë falsifikim.
Fjalimet politike të Vuçiqit, që i referohen Kosovës, dalin të jenë me ambiguitet semantikisht kundërvënës: nga një anë thotë se Serbia është për paqen në Ballkan, kurse nga ana tjetër, në fjalimin e njëjtë, thekson se Kosova është pjesë e Serbisë dhe jo vetëm që nuk do ta njohë Kosovën shtet, por do ta mbrojë integritetin territorial që i është cenuar asaj! Kjo nënkupton luftën dhe e harroi paqen! Ai e di mirë se në ç’mënyrë u bë Kosova pjesë e Serbisë?
Ajo (Kosova) u bë pjesë e Serbisë me detyrim ushtarak, me dhunë e krime ndaj shqiptarëve në të ashtuquajturin administrim ushtarak të shpallur nga Tito më 8 shkurt 1945 nën presionin e oficerëve të Serbisë.
Sipas këtij administrimi i tërë pushteti i Kosovës: politik, ekzekutiv e juridik i kalonte komandës ushtarake, pjesa dërrmuese e së cilës përbëhej nga serbët. Nga kjo diktaturë ushtarake filluan burgosjet, persekutimet, vrasjet e masakrat ndaj shqiptarëve që e kundërshtonin administrimin ushtarak serb në Kosovë. Në krye të administrimit të dhunshëm ushtarak u vu koloneli serb Savo Dërleviq. Prandaj, faktet flasin se Kosova në realitet nuk ishte kurrë pjesë integrale e Serbisë siç pohon Vuçiqi, porse ishte pushtim ushtarak serb i Kosovës me diskriminim nacional e tentim etnocidi.
Zatën Serbia bëri gjenocid mbi shqiptarët shumë më herët sikundër është p. sh. pushtimi i krahinës shqiptare të Toplicës kur u dogjën dhe u ndoqën nga shtëpitë e tyre shqiptarët e rreth tetëdhjetë fshatrave nga Merdare dhe deri në Nishin ilir në vitet 1877 e 1878.
Krimet serbe ndaj shqiptarëve qenë të përhershme gjatë historisë. Kështu është e njohur edhe masakra e Tivarit më 31 mars 1945 në të cilën u vranë mbi katër mijë shqiptarë ndër të cilët kishte edhe fëmijë dhe femra. Masat represive, burgosjet e vrasjet e shqiptarëve nga pushteti i dhunshëm serb vazhduan gjithnjë deri në qershorin e vitit 1999 kur Kosova u çlirua nga lufta heroike e “shpëtimtares së kombit” siç e quajti me shumë të drejtë shkrimtari me zulmë botërore – Ismail Kadare USHTRINЁ ÇLIRIMTARE TЁ KOSOVЁS e mbështetur edhe nga aleatët e saj.
Shumë intelektualë të lartë serbë dhe përfaqësues institucionesh madje edhe ndërkombëtare, në analizat politike, përditë po e vërtetojnë të dhënën se burimi i organizimit dhe i financimit të grupeve kriminale, sidomos për aktet terroriste ndesh institucioneve shtetërore të Kosovës, sikundër ishte sulmi terrorist i së dielës, më 24 shtator, është kryetari i Serbisë, A. Vuçiqi. Këtë ditë, komplotistët terroristë serbë, sipas planifikimit dhe strategjisë subversive të oktapodit të mirënjohur për veprimtarinë kriminale dhe të bashkëvepruesve të tij- A. Vuçiqi, filluan zbatimin praktik të pretendimit ekspansionist të despotit serb me qëllim që krerët e organizatës terroriste “Lista Serbe”: G. Rakiqi e M. Radoiçiqi ta shpallin një autonomi territoriale të katër komunave të atjeshme.
Kompromisi i Vuçiqit- ndarja e Kosovës!
Ndodhitë e fundit me rrjedhojat tragjike ka kohë që janë përmendur nga drejtuesit e kësaj organizate shqim të hartuara nga ekspertët ushtarakë serbë në bashkërendim me shërbimin përkatës rus për ta sendërtuar aneksimin e territorit të Republikës së Kosovës. Ky projekt politik e ushtarak është shprehur tërthorazi me stilin eliptik të zyrtarëve serbë i përmbledhur, i nënkuptueshëm, i kushtëzuar si lloj imponimi në periudhën me fjali të varur kushtore dhe me fjalinë drejtuese pas saj: “ Nëse Prishtina nuk e formon asociacionin e komunave serbe, do ta formojmë vetë.” Pra, siç shihet kërcënim me detyrim.
Veprimi i grupit terrorist ishte hapi i parë për rrëmbimin e territorit me luftën terroriste; ishte test për ta pushtuar territorin pa ndërhyrjen e armatës së rregullt serbe, e cila nuk do të lejohej nga KFOR-i. Ai zbuloi haptazi qëllimin e formimit të asociacionit, të cilin aq me ngulm e kushtëzim për vazhdimin e dialogut e kërkon Beogradi dhe, ç’është për çdo kritikë, e kërkojnë edhe përfaqësuesit e BE-së!
Sulmi i grupit të serbëve të armatosur ndaj policisë së Kosovës ishte “një ngjarje e paralajmëruar”- u tha edhe nga disa serbë. Edhe ministri serb për komunitetet në Qeverinë e Kosovës- Nenad Rashiqi tha se para tre muajsh kishte informata se në afëri të Rashkës “ekziston një kamp trajnimi ushtarak.” Vihet re se shumë afër Kosovës është bërë përgatitja taktike e grupit terrorist sipas skenarit serbo – rus për ta pushtuar me forcë territorin e komunave veriore të Kosovës. U dëshmua sa është e qëndrueshme “paqja” e Vuçiqit në Kosovë, së cilës leksemë i referohet shumë shpesh, sidomos në komunikimin me diplomatët e huaj, të cilët i kanë besuar deri më sot. Tani e tutje, kur veprimtaria terroriste serbe u ekspozua në vepër nga vrasja e zyrtarit policor në detyrë – Afrim Bunjaku dhe plagosja e dy të tjerëve në fshatin Banjskë, nuk do të duhej t’i besonin më.
Edhe kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut-Sonja Biserko nga Beogradi reagoi dhe vuri në theksim qëllimin e grupit terrorist: “pati skenar për ndarjen e Kosovës.”
Del e kuptueshme pse po hesht tani përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, sllovaku Lajçak? Ai tumiri plotësisht qëndrimin e Vuçiqit në takimin e Brukselit sipas të cilit u kërkua që, si hap i parë i marrëveshjes, të jetë formimi i asociacionit të komunave veriore madje u fajësua Kurti për dështimin e dialogut pse nuk u pajtua me radhitjen e përbërësve të marrëveshjes. Nuk ka mbëhi për ndonjë dhunti politike për ta kuptuar implikaturën e treshes: Vuçiq-Borrel-Lajçak, pra të pashprehurën, por të nënkuptuarën e qëllimit kryesor të Vuçiqit që është: për ta zhvendosur kufirin e tanishëm shtetëror Kosovë -Serbi dhe për ta vënë kufirin e ri në favorin e Serbisë së madhe – një ëndërr kjo e hershme e politikës së Beogradit zyrtar që nga pararendësit e Vuçiqit në krye me I. Garashaninin me platformën politike e quajtur “Naçertanija” në vitin 1844.