‘Kishim buzëqeshje artificiale’, Jasharaj flet për takimin e fundit me Nagavcin
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka përmendur takimin e fundit që ai ka zhvilluar me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Ai ka thënë se me Nagavcin i kishte bërë bashkë zëvendëspresidenti i Sindikatës së Mësuesve të ShBA-së, i cili ishte për vizitë në Kosovë.
Jasharaj ka thënë se në atë takim ka pasur buzëqeshje artificiale nga ai dhe Nagavci, për hir të mysafirit.
“Pas grevës i kemi pasur dy kërkesa për zonjën Nagavci, nga kabineti kemi marrë përgjigje ironike, qesharake se ajo qenka shumë e angazhuar, më nuk kemi bërë kërkesa. Me Nagavcin u takuam vetëm kur kishim nderin të na vizitonte zëvendëspresidenti i Sindikatës së Mësuesve të ShBA-së. Ka qenë më tepër takim solemn, me buzëqeshje artificiale të zonjës Nagavci dhe kryetarit të SBAShK-ut. Pra edhe unë kisha buzëqeshje artificiale për hir të mysafirit të nderuar. Një takim i vetëm 15-20 minuta”, ka thënë Jasharaj.
Ai ka thënë se “fajtori i vetëm që nuk ka komunikim është ministrja Nagavci”.