Kjo është agjenda zyrtare e festimeve për përvjetorin e Pavarësisë
Agjenda zyrtare e festimeve për përvjetorin e 10-të të Pavarësisë së Kosovës fillon nga 15 shkurti deri më 18 shkurt.
Janë paraparë që nga dita e parë të mbahen konferenca, ekspozita, mbledhje solemne, shfaqje teatrale e filma të ndryshëm për të shënuar 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Përderisa në ditën e parë qysh në orën 9 e 30 në mëngjes do të mbahet konferenca “10 vjet shtet – mësimet dhe pritjet” në sallën e konferencave në Fakultetin Filozofik. Pastaj gjatë ditës do të shfaqet edhe filmi ‘I Padashtun’ në kinemanë ABC kurse në mbrëmje do të shfaqet premiara e shfaqjes ‘Njeriu që Mungonte’ në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Me 16 shkurt, në orën 10 do të ketë aktivitet të Policisë së Kosovës në sheshin ‘Skënderbeu’, në orën 14 do të lansohet pulla postare për 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Në mbrëmje do të ketë koncert me kitaristin Petrit Çeku dhe me violinistin Klaidi Sahatçiu të organizuar nga Ambasada e Francës.
Në ditën e Pavarësisë së Kosovës, me 17 shkurt agjenda zyrtare fillon që nga ora 9 në mëngjes me mbledhjen solemne të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe do të mbyllet në orën 20 kur edhe do të mbahet koncerti i Rita Orës.
Koncerti do të mbahet në sheshin ‘Skenderbeu’, Rita Ora është planifikuar që të shfaqet në skenë rreth orës 22 kurse gjatë pjesës tjetër të koncertit do të performojnë këngëtare dhe DJ vendor.
Gjatë ditës do të mbahet edhe seanca solemne e Kuvendit të Kosovës, do të bëhet ngritja solemne e flamurit të Kosovës, do të ketë paradë ajrore të parashutistëve në sheshet ‘Nënë Tereza’ dhe ‘Zahir Pajaziti’.
Do të mbahet koncerti ‘Shota’ në orën 15 në Teatrin Kombëtar kurse në orën 18 do të shfaqet filmi ‘Babai’ në kinemanë ABC.
Të dielën, me 18 shkurt në ora 10 do të mbillen 115 pemë në memorialin ‘Adem Jashari’ në Prekaz.