
Kjo është arsye pse Gegaj ndryshoi skuadër
Reprezentuesi i Kosovës në hendboll, Leonard Gegaj është larguar nga të rinjtë e IK Savehof për të nënshkruar me skuadrën tjetër nga Suedia, Karra HF. Me klubin e ri, 19-vjeçari Gegaj ka nënshkruar për dy vite.
“Kam vendosur të ndryshoj ekipin pasi e kam ditur se Karra ka ekip shumë të mirë dhe po investon për të bërë ekip edhe më të mirë. Kam dashur të jem pjesë e këtij ekipi pasi e di që luan hendboll shumë të mirë”, ka thënë Gegaj për faqen zyrtare të Federatës së Hendbollit të Kosovës. Ai në janar debutoi me sukses në Kombëtaren e Kosovës. Ndërkohë në janar të vitit 2021 do ta udhëheq Kombëtaren U20 në kampionatin evropian të Divizionit B. Gegaj luan në pozitën e qendrës dhe shquhet për shpejtësinë që ka. Me skuadrën e re do të luajë në kategorinë e dytë të Suedisë, që hendbollin e ka shumë të zhvilluar.
“Besoj se do të luajë rregullisht. Trajneri më ka thënë këtë, ndërsa ka vlerësuar shpejtësinë dhe shpërthimin që e kam. Stinori i ri nis të enjten, ndërsa unë jam në formë shumë të mirë”, ka deklaruar Gegaj. Në Suedi bëjnë karrierë edhe disa lojtarë tjerë të rëndësishëm të ekipit tonë kombëtar.