Kjo është deklarata e Kurtit për Vuçiqin që nxiti reagim në Kosovë (video)
Millosheviqi s’e pyeste kurrë Vuçiqin edhe pse e kishte ministër. Kjo deklaratë e kryeministrit Albin Kurti dhënë nga Amerika, ka nxitur reagime në skenën politike.
Sipas deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj, me këtë deklaratë kryeministri Kurti e ka “amnistuar presidentin serb”.
“Skandalet e Kurtit vazhdojnë. Tani paska shfajësuar presidentin serb, Vuçiq për krimet në Kosovë duke thënë se Millosheviqi nuk e ka pyetur Vuçiqin”, ka shkruar Kadrijaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ndërsa sekretari i përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka thënë se deputetët e opozitës duhet të thërrasin seancë në Kuvend dhe të ftojnë Kurtin për deklaratën e lartpërmendur, e cila sipas tij, i bie që Vuçiqi, shfajësohet nga përgjegjësia për krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës së fundit.
Kjo është deklaratë e plotë e Kurtit: “E dimë shumë mirë që presidenti i Serbisë ishte ministër i Informacionit në kohën e Millosheviqit. Por, mund ta marr me mend se Millosheviqi kurrë nuk e ka pyetur Vuçiqin. Prandaj, nuk do të duhej të ishte vështirë për Vuçiqin që ta distanconte veten nga Millosheviqi, i cili kurrë nuk e pyeste”.
Këtë deklaratë mund ta dëgjoni nga minuta e 49-të në videon e mëposhtme.