Kjo është deklarata e plotë e Ibrahim Rugovës për këmbim territoresh me Serbinë
Pas reagimeve të shumta në orët e fundit rreth deklaratës së presidentit Hashim Thaçi i cili i referohej një intervistë të presidentit Ibrahim Rugova në vitin 1994 rreth këmbimit të territorit me Serbinë, Petrit Selimi e ka publikuar të plot përgjigjen e Rugovës.
Ka qenë një citim i presidentit Thaçi për deklaratën e Rugovës në vitin 1994 që ka bërë të ketë reagime të shumta, bile edhe nga bashkëpunëtorët e Rugovës, të cilët si duket nuk e kishin të qartë se çfarë kishte deklaruar udhëheqësi i tyre.
Pa e ditur se është një deklaratë e shkruar e Rugovës të cilës iu referua Thaçi, bashkëpunëtorët e Rugovës, duke përfshirë edhe Milazim Krasniqin thanë se mos ta kenë dëgjuar ndonjëherë Rugovën të fliste për këmbim territori me Serbinë.
E ai që e postoi fillimisht vetëm titullin e intervistës së Rugovës për Zërin në vitin 1994 “Ndarje jo, Këmbim po”, tash e ka postuar të plotë përgjigjen e ish presidentit të Kosovës. Bëhet fjalë për Petrit Selimin, ish bashkëpunëtorin e afërt të Thaçit.
“Edhe ne mund të bëjmë kësi lloj ‘pazari’. Aq më tepër kur kemi legjitimitetin historik, etnik, juridik dhe politik mbi Kosovën. Nuk duhet harruar se Kosova ka qenë njësi konstituive e Federatës jugosllave.
Megjithatë, po e përsëris, për ne është e papranueshme ndarja e Kosovës. Mund të bëjmë vetëm këmbim territoresh, ashtu që Leposaviqi dhe disa territore në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe, të fitojmë Preshevën dhe viset tjera në Serbinë jugore, të banuara me shumicën shqiptare”, kishte deklaruar Rugova.
E këtë deklaratë të Rugovës nuk e mbante mend as Ismet Beqiri, i cili i reagoi ashpër Thaçit, duke thënë se presidenti po mundohet t’i shtrembëroj deklaratat e Rugovës.